Një 42-vjeçar është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në qytetin e Lezhës, pas një sherri për traun që bllokonte rrugën pranë hotelit.

Policia ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet konflikti i ndodhur mbrëmjen e djeshme ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi A.D. 44 vjeç.

Arrestohet në kohë rekord autori i dyshuar i plagosjes

Gjithashtu, procedohen penalisht edhe shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt

Më datë 01.05.2018, nga specialistët e Sektorit kundër krimeve të rënda, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit :

– Dorosamento Gjeta, 26 vjeç, banues në Lezhë për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje armëve luftarake dhe municionit” “Plagosje e rëndë me dashje” parashikuar nga nenet 278/4 dhe 88 të Kodit Penal.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, shtetasit A.D. 42 vjeç, banues në Lezhë për veprën penale “Shkatërrim prone” parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal dhe B.B. 49 vjeç, banues në Lezhë për veprat penale “Kanosja” “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga nenet 84 dhe 90 të Kodit Penal.

Procedimi penal i tyre u bë pasi, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se pasditen e djeshme shtetasit e mësipërm janë konfliktuar për motive të dobëta, për vendosjen e një trau pranë një hoteli që bllokonte rrugën. Si rezultat i këtij konflikti, ka mbetur i plagosur në këmbë shtetasi A.D. 44 vjeç ( vëllai i shtetasit A.D. të proceduar) i cili ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar i plagosjes është shtetasi Dorosamento Gjeta, i cili u arrestua në flagrancë.

Materialet procedurale në ngarkim të tyre, iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.