Gjermani, 27 gusht 2014 – Humbja në start me Bajer Leverkusenin ka trazuar ujërat në shtëpinë e Dortmundit. Në stërvitjen e djeshme, një dyluftim i Kevin Groskrojcit dhe Jonas Hofmanit, i cili ka rezultuar me ndërhyrjen e ashpër të Groskrojcit, për pak sa nuk ka degjeneruar në shkëmbim grushtesh. Stafi ka ndërhyrë për të qetësuar futbollistët, ndërsa mesfushori 26-vjeçar është përjashtuar nga zv/ trajneri Zeljko Buvac. 52- vjeçari që ka parë gjithë skenën, edhe pse në stërvitje ishte edhe Jyrgen Klopi. Ai urdhëroi Groskrojcin që të ndërrohej dhe shkonte në shtëpi: “Kevin largohu!”, – ishin fjalët e Buvac sipas “Bild”. Futbollisti shkelmon topin i nervozuar gjatë daljes nga fusha, madje shkëmben dhe disa fjalë me trajnerin Klop përpara se të largohet përfundimisht me BMW-në e tij X6.

Jyrgen Klop i mori vetë të gjitha përgjegjësitë e humbjes me Leverkusenin. “Starti i ndeshjes dhemb pa dyshim. Leverkuseni e zbatoi në mënyrë perfekte planin e saj, ndërsa ne jo. Kemi shumë punë për të bërë. Skuadra nuk ishte ende zgjuar kur filloi ndeshja dhe unë për këtë mund të fajësoj vetëm veten time. Sulmuesit nuk finalizuan siç duhej, por ata nuk e katranosën të vetëm, por me mua në krye”, – tha trajneri, i cili foli edhe mbi të ardhmen e Rojsit, të cilit prej verës së ardhshme i hyn në fuqi klauzola e largimit prej 25 milionë eurosh: “Unë kam një ndjesi pozitive se Marko do të qëndrojë edhe për pak kohë me ne”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/