Dy të vrarë e një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i një konflikti tragjik, të regjistruar mesditën e sotme, në fshatin Rrushkull të Durrësit. Ngjarja e rëndë u konsumua rreth orës 13.20 dhe si shkak i saj shërbeu një sherr për motive të dobëta.

Viktimat dhe i plagosuri, punonjës në një rezervat, janë konfliktuar me njëri tjetrin, me mjetet prerëse me të cilat punonin.

35-vjeçari Lulëzim Qamo, i cili dyshohet se vuante nga sëmundje mendore dhe 40-vjeçari Yzedin Shallari kanë mbetur viktima, ndërsa Eduart Xhaferri, 50 vjeç, është duke luftuar për jetën në reanimacionin e spitalit të Durrësit.

Policia ka bëre me dije se të tre personat, viktima dhe i plagosuri, janë banorë të Durrësit dhe njëkohësisht janë punonjës në rezervatin e kafshëve, në fshatin Rrushkull.

Ngjarja

Sipas hetimeve të para dhe provave të grumbulluara në vendngjarje, rezulton se dy të plagosurit, Xhaferri dhe Shallari mbërritën në urgjencën e spitalit të Durrësit me shumë plagë në trup dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pak pas mbërritjes në spital, policia njoftoi se i plagosuri Yzedin Shallari humbi jetën, ndërkohë që në vendngjarje është gjetur pa jetë 35-vjeçari Lulëzim Qamo.

Rezulton se Qamo ka goditur së pari shtetasin Eduart Xhaferri, me detyrë përgjegjës i rezervatit dhe më pas në konflikt është përfshirë edhe viktima tjetër, 40-vjeçari Xhaferri.

Burime policore konfirmojnë për DurrësLajm se të tre personat e përfshirë mesditën e sotme në konfliktin e përgjakshëm, çdo mëngjes, shkonin në rezervat nga Durrësi në Rrushkull me makinat e punës, ku kryenin detyra specifike, e më pas ktheheshin në shtëpitë e tyre në mbrëmje.

Ajo që pritej të ishte një ditë normale pune për të tre këta punonjës, u kthye në një tragjedi të vërtetë.

Në bazë të provave të mbledhura në vendgjarje dhe marrjes së dëshmive të personave që kanë dijeni për ngjarjen e rëndë, pritet të zbardhet plotësisht sherri banal që u mbyll me dy viktima e një të plagosur rëndë. 

K.H.