Din Henderson ishte protagonisti absolut i ndeshjes që Kristal Palas fitoi 1-0 ndaj Mançester Sitit në finalen e Kupës FA, duke siguruar trofeun e parë madhor në historinë e klubit. Ai bëri pritje të ndryshme gjatë ndeshjes, mes të cilave edhe penalltinë e Marmush që mund të kishte ndryshuar fatin e sfidës.Por portieri në fund të duelit u bë protagonist edhe i një përplasje me Pep Guardiolën.

Kamerat filmuan Henderson teksa shkëmbente fjalë me Guardiolën i cili i përgjigjej i inatosur duke iu drejtuar dhe bërë shenjë me gisht ndaj portierit, derisa të dy u ndanë nga personat që kishin afër, të cilët shmangën një situatë të pakëndshme mes të dyve.

Vetë Guardiola pas ndeshjes preferoi të mos e komentonte atë moment, por Henderson zbuloi për BBC se çfarë i kishte thënë trajnerit spanjoll duke e acaruar atë. “I more 10 minutat siç dëshiroje”, i kishte thënë ai Guardiolës, duke iu referuar kohës shtesë që u dha në fund të ndeshjes, fjalë të cilat nuk u kapërdinë nga trajneri duke sjellë reagimin e tij.