Policia e Durrësit ka arrestuar autorin e plagosjes së mbrëmshme te lagja nr. 18, pranë stadiumit “Niko Dovana”.

Dy të rinj të moshës 25 dhe 26 vjeç u konfliktuan në ambientet e një lokali me njëri-tjetrin për motive banale.

Konflikti precipitoi deri në përdorimin e armëve të ftohta, një thikë, e si pasojë njëri prej tyre mbeti i plagosur.

Burime nga policia bëjnë me dije se ai ndodhet në spital fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa autori, shtetasi Andrea Shahaj 26 vjeç, banues në Durrës, u arrestua pak minuta pas ngjarjes.

"Më datë 26.06.2017, rreth orës 21:00, në lagjen nr.18 Durrës pas një konflikti për motive të dobëta ka  tentuar të vrasë me thikë shtetasin E.B. 25 vjeç, banues në Durrës.

I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.

Pas ndërhyrjes së shpejtë dhe të menjëhershme të Policisë është bërë e mundur të normalizohet situata, të identifikohet dhe autori i dyshuar.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti i kryerjes së veprës penale (thika)", thuhet në njoftimin e policisë.

26-vjeçari akuzohet për "Vrasja me dashje" e mbetur në tentativë dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta".