Një ngjarje rëndë ka ndodhur në orët e vona të së martës në Athinë, ku një shqiptar ka humbur jetën aksidentalisht. Është ky konkluzioni i policisë greke pas të shtënave që u dëgjuan rreth orës 23:40 në një kafe në zonë e Nea Ionia në Athinë.

Sipas asaj që shkruajnë mediet greke, fillimisht shqiptari u lëndua rëndë dhe u dërgua në spital, por pas rreth 3 orësh humbi betejën me jetën. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur, por mësohet se viktima ishte 30 vjeç.

Protothema thotë se gjithçka ka nisur kur në kafene mbërriti një grup prej 7 shqiptarësh të cilët kanë qenë duke debatuar para se të uleshin aty.

Të shtatë dolën më pas në rrugë dhe papritur një prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. Për pasojë një plumb ka prekur shqiptarin tjetër, i cili nuk ka pasur lidhje me bashkatdhetarët e tij që po konfliktoheshin.

Pas plagosjes të shtatë shqiptarët e tjerë janë arratisur dhe nuk janë vënë ende në pranga.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një makinë tip “Jeep”, e cila dyshohet se i përket një prej shqiptarëve që po konfliktohej. Policia po ashtu ka gjetur në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja pistolete.