Dy të rinj të cilët ishin në kërkim pas një sherri të ndodhur më 11 prill në qytetin e Lezhës, janë vendosur në pranga.
Ndërkohë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër, 15-vjeçar i përfshirë në konflikt.
Po ashtu është sekuestruar automjeti i përdorur në ngjarje.
“Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e një konflikti të ndodhur mesditën e 11 prillit 2025, dhe veprimeve operacionale për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për këtë konflikt, në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë, në kuadër të kontrolleve të shumta të kryera bazuar edhe në inteligjencën policore, kapën dhe arrestuan dy nga shtetasit e shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit R. M., 20 vjeç, dhe A. D., 15 vjeç.
Të dy këta shtetas dyshohen për kryerjen e veprave penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin e përdorur në këtë ngjarje.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, është shpallur në kërkim një tjetër 15-vjeçar, shtetasi G. P., banues në Lezhë, i përfshirë në konflikt.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe lokalizimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt”, njofton policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.