10 nëntor 2015 – Spektakli i mbrëmshëm i “Dance With Me”, vazhdon të diskutohet sot për debatet e nxehta kryesisht të nxitura nga Robert Aliaj kundër praktikisht kujtdo tjetër. Por në fund të puntatës, publiku kishte një pyetje në mendje…'çfarë do të ndodhë tani?'

Sa i takon debatit me Valbona Selimllarin, Aliaj siç duket ka tentuar t’i rregullojë marrëdhëniet në prapaskenë. I kontaktuar nga revista “Bordo”, Robert Aliaj pohoi se mëria mes tyre nuk mund të zgjaste më shumë sesa koha e titrave të programit.

“Unë e kam bezdi kur më ndërpresin. Dhe sigurisht në atë çast isha i nervozuar. Dhe të dy patëm ato reagime, që ju i patë dhe ‘live’. Nuk ka asnjë arsye që unë dhe Bobi të mbajmë qëndrim nga kjo situatë, e cila u harrua nga të dy ne. Miqësinë tonë nuk e prishin të tilla përplasje, të cilat pa dashjen tonë, i dhanë edhe më shumë audiencë Dance With Me”, u shpreh ai.

Edhe ish-Miss Shqipëria, dha një mesazh në Instagram, pasi i ktheu përgjigje një ndjekëses së saj që e mbështeti në 'shpërthimin' e djeshëm. 

"Unë ju falënderoj për mirëkuptimin, edhe pse në respekt të atyre që na ndjekin duhet t'i shmangim debatet e panevojshme," u shpreh Valbona, duke iu rikthyer sërish figurës 'shembullore' që është përpjekur t'i qëndrojë besnike qysh nga fillimi i spektaklit.

/portali DurresLajm/