Një biznesmeni në lagjen “15 tetori” në Fier i është vendosur zjarri në derën e shtëpisë gjatë orëve të natës, duke rrezikuar jetën e fëmijëve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Zjarrvënia dyshohet për konflikte për biznesin dhe pronën. Banesa e djegur është në pronësi të Ilirjan Saliajt.

Autorët kanë ndezur zjarr në derën e shtepisë duke e spërkatur me rreth 5 litra benzinë. Flakët janë përhapur në ambientet e brendshme të shtëpisë. Ka qenë vetë biznesmeni i cili ka ndjerë menjëherë zjarrin dhe ka zbritur fëmijët në errësirë nga ballkoni në ballkon te fqinjët në katin më poshtë.

Sipas policisë, ky shtetas ka përplasje pronësie për një supermarket. Ai së bashku me personin që kanë ushtruar aktivitetin e përbashkët, për shkak se kanë falimentuar, kanë pretendime ndaj njëri-tjetrin për shuma të mëdha lekësh, rreth 150 milionë lekë të vjetër.

Gjithashtu, biznesmeni ka konflikte edhe për një truall. Po punohet për gjetjen e personave me të cilët Saliaj ka konflikte dhe marrjen e deklarimeve të tyre.