Një konflikt i nisur para 25 ditësh, mes një 21-vjeçari e dy personave të tjerë, njëri i njohur si mik i Emiljano Shullazit, është mbyllur të shtunën me plagosjen e të riut, në zonën e Yzberishtit, në Tiranë.

Policia tha dje se shtetasi me iniciale O.Dh., 21 vjeç, është goditur me thikë nga 22-vjeçari Kid Koshena, tashmë i arrestuar nga Policia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në rrugën “Tre Dëshmorët”, kur i plagosuri fillimisht ka goditur me shishe në kokë Koshenën.

Ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e goditur me thikë, aq sa shtetasi O.Dh., ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Burime nga grupi hetimor thanë se i arrestuari Koshena, i kishte shpëtuar më parë arrestimit, në një konflikt që kishte ndodhur po me të njëjtin person. Para më shumë se tri javësh, Kid Koshena dhe Klajdi Gjeçi, kishin dhunuar 21-vjeçarin, për një borxh të pakthyer.

Gjeçi, i cili njihet si mik i Shullazit, u ndalua nga Policia e Tiranës dhe u procedua në gjendje të lirë me akuzën “dëmtime të tjera me dashje”. Ndërsa Kid Koshena arriti të largohej nga vendngjarja, duke u arrestuar mbrëmjen e së shtunës, pasi kishte plagosur me thikë të riun dhe kishte edhe vetë disa plagë në kokë.

Sipas burimeve nga Policia, ngjarja e së shtunës në Yzberisht, ishte më tepër hakmarrje nga ana e autorit, për kallëzimin që i dëmtuari kishte bërë ndaj tij dhe Klajdi Gjeçit, në konfliktin e mëparshëm që kishin pasur bashkë për borxhin e pakthyer. /Panorama