FIER- Katër kushërinj janë plagosur me thika teksa kanë mbrojtur një këngëtare, e cila kishte performuar në një nga lokalet e qytetit të Patosit. Ndërkohë po hetohen në gjendje të lirë tre agresorët. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur "Kthesa e Patosit". 

Mësohet se gjithçka ka marrë shkas nga ngacmimi i një këngëtareje, e cila shoqërohej nga kushërinjtë Gropa, banues në Patos. Burimet e mësipërme sqarojnë se pas koncertit këngëtarja (polica nuk e bën me dije emrin e saj) ka dalë nga lokali. Ndërkohë që E. Gropa 37 vjeç si dhe tre kushërinjtë e tij: M. Gropa, H. Gropa dhe L. Gropa ishin duke e përcjellë për në hotel janë konfrontuar me Petrit Osmanin, A. Ramën dhe M. Dimon. 

Kjo për shkak se këta tre persona kanë nisur të ngacmojnë këngëtaren. Katër kushërinjtë Gropa u janë drejtuar Osmanit, Ramës dhe Dimos që të shikonin punën e tyre, pasi nuk ishte e moralshme që të ngacmonin një femër dhe për më tepër natën. Por sherri është ndezur më keq, me sharje dhe fyerje të ndërsjellta mes palëve dhe më pas me përleshje me thika. Për pasojë kanë mbetur të plagosur lehtë M. Gropa, H. Gropa dhe L. Gropa, ndërsa 37-vjeçari E. Gropa ka marrë plagë më të rënda dhe po mjekohet në Spitalin Rajonal të Fierit.

Mjekë të këtij spitali pohojnë se 37-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Pas denoncimit të të dëmtuarve, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre agresorëve. Materialet në ngarkim të tyre i janë përcjellë Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme.