Kastriot Dema, bashkëshorti i shtetases italiane Carlota Dossena, ka folur nga spitali i Durrësit lidhur me konfliktin mes çiftit për arsye pronësie të ndodhur mbrëmjen e një nate më parë në fshatin Vilë Bashtovë të Kavajës.

32-vjeçari thotë se gruaja e tij ka bashkëpunuar me kuzhinierin e restorantit dhe persona të tjerë për të kryer sulm ndaj tij. Madje ai ka filmuar kuzhinierin, i cili tashmë është arrestuar nga policia, teksa e kërcënonte dhe fyente.

“Në 2 të natës dëgjoj emrin tim. O Kastriot do të bëj këtë, do të bëj atë duke më sharë. Kuzhinieri, punëtori i ish-bashkëshortes hipën në ballkon dhe çan derën. Dal nga dera dhe sa dola ishte Carlota dhe ky tjetri. Me çelës papagall dhe thikë. Thikën ia hoqa nga duart dhe u largova. U lirova dhe ika te babai, pastaj nuk mbaj më mend”, tha i riu.

Në lidhje me këtë ngjarje ka folur edhe babai i 32-vjeçarit, i cili ka thënë se djali i tij e kishte marrë në telefon për t’i thënë se donin ta vrisnin. Ai ka kërkuar nga autoritetet që të bëjnë drejtësi për ngjarjen.

“Në orën 2 pas natë më mori në telefon djali, “baba tha po më vrasin”. Unë kam qenë te parkimi i makinave, pa asgjë në dorë. U dorëzova dhe i thashë unë s’kam asnjë mjet me bo luftë me ju. Kuzhinieri dhe kamerieri, ajo rrinte pak më tutje më erdhën të dy afër dhe në momentin që ai po ia bënte me dorë, thika e gjatë e kuzhinës ra poshtë. Mora djalin siç ishte me gjak si ishte me makinë. Djali kishte lajmëruar policinë, por nuk kishte ardhur akoma. Ne kërkojmë vetëm drejtësi. për çdo gjë vetëm drejtësi”, tha babai.

Kastriot Dema qëndronte në një prej dhomave të hotelit të tij pasi ishte në arrest shtëpie për akuzën e dhunës në familje. 32-vjeçari dhe shtetasja italiane Carlota Dossena janë në proces divorci.

Gruaja e cila ndodhet në spitalin e Rrogozhinës me plagë të lehta në dorë pretendon se është plagosur nga burri i saj, por nuk jep detaje të tjera rreth ngjarjes.