Policia e Durrësit ka dalë me njoftim për shtyp për sherrin me grushta, pas të cilit humbi jetën një 52-vjeçar në fshatin Arapaj.

52-vjeçari S.F. u godit me grusht më datë 9 nëntor në fshatin Arapaj nga 18-vjeçari L.Ç. dhe më pas ndërroi jetë një ditë më vonë në Spitalin e Traumës. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta, pasi 52-vjeçari që ndërroi jetë duket se ka ngacmuar vëllain e mitur të adoleshentit 18-vjeçar.

“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.11.2025, në lidhje me procedimin penal të 18-vjeçarit, shtetasit L. Ç., pasi dyshohej se për motive të dobëta, kishte goditur me grusht, shtetasin S. F., 52 vjeç, njoftojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kryen ndalimin me iniciativë të shtetasit L. Ç., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se si pasojë e goditjes me grusht, 52-vjeçari ka rënë me kokë, në tokë, në një rrugë në fshatin Arapaj, dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën më datë 10.11.2025, rreth orës 22:00, në Spitalin e Traumës.“,- njoftoi sot policia e Durrësit.

Ndërkohë pas ditë më parë, në njoftimin e parë për ngjarjen, policia shkruante: “Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 18-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me grusht një 52-vjeçar.”