Pas incidentit në Beograd, ku Vojisllav Sheshel shau delegacionin kroat që është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi, dhe më pas shkeli flamurin kroat në Kuvendin e Serbisë, zyrtarët kroat kanë anuluar takimin me Ministren e Integrimeve Evropiane të Serbisë. Siç raportojnë mediat kroate, ata kanë marrë vendim që ta ndërpresin vizitën në Serbi, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Parlamentit kroat Gordan Jandrokoviç, sot ka filluar vizitën dyditore në Serbi. Gjatë ditës së sotme lideri i Partisë Radikale të Serbisë, Vojishllav Sheshel, ka sharë delegacionin kroat, madje ai ka shkelur flamurin kroat në Kuvendin e Serbisë.

“Në hyrje të Parlamentit, Sheshel iu vërsul flamurit kroat që ishte i vendosur në shtizë që e rrëzoj në tokë, dhe më pas së bashku me bashkëpunëtorin Fillip Stojanoviç kanë filluar ta shkelin”, kanë bërë të ditur në partinë e Sheshelit.