“Grupimi Aktiv për Durrësin” i cili zhvilloi disa protesta të njëpasnjëshme për ruajtjen e zbulimeve që dole në dritë në sheshin “Veliera” ka dalë së fundi me propozimin për të shpallur monument kulture, zbulimet arkeologjike në këtë shesh.

Firmosja e peticionit po bëhet online dhe grupimi këtë peticion po ja shpërndan nëpërmjet rrjeteve sociale qytetarëve të ndryshëm.

Çështja “Veliera”

Fati i projektit “Veliera” në Durrës ka mbetur pezull prej disa muajsh. Gjykata Administrative Durrës kërkoi vlerësim të tre ekspertëve të fushës së arkeologjisë, duke vendosur ta shtyjë vendimin për në seancën e radhës që do të mbahet me datë 27 dhjetor.

Ambjentalisti Sazan Guri e konsideron të qëllimtë shtyrjen e dhënies së vendimit për çështjen “Veliera”, duke theksuar se drejtësia ka frikë nga padrejtësia.

Mësohet se edhe juristja e shoqërisë civile, Mirela Jorgo, që ka bërë padinë, është e të njëjtit mendim teksa shprehet se trupi gjykues ka frikë të japë verdiktin përfundimtar, pasi do të jetë kundra Bashkisë.

Që prej muajit mars, në sheshin Veliera janë ndërprerë pumimet, pas sekuestros preventive që vendosi prokuroria e Durrësit.

Çfarë po ndodh në gjykatë?

Prokurorja e çështjes “Veliera”, Anita Jella ka dhënë dorëheqjen. Ndërkohë edhe tre ekspertët e caktuar nga kjo prokurori nuk pranuan të merren me këtë çështje. “Veliera” i kaloi një prokuroreje tjetër nga ku u caktuan tre ekspertë të tjerë; Taulant Rama, Faik Drini dhe Skënder Aliu. Pse u shty për kaq kohë vendimi i ekspertëve? Pse dha dorëheqjen prokurorja dhe pse nuk pranuan ekspertët e parë të deklaruar në vendimin e gjykatës së rrethit Durrës, shkalla e parë, në datën 27 shtator. Seanca e tetë e çështjes “Veliera” zhvillohet më datë 27 dhjetor. Pikërisht atëherë kur opinioni publik është duke u marrë me përgatitjet e fundit për festën e Vitit të ri. Të shohim deri në vendimin final nga ku do te kuptohet nëse politika ka shtrirë duart mbi drejtësinë!

Peticioni i “Grupimi Aktiv për Durrësin”:

Peticioni i drejtohet tre institucioneve:

Ministrise se Kultures

Institutit të Monumenteve të Kulturës

Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë

 SHKELJET:
1. Ndërtim në Zonën Arkeologjike A – E NDALUAR!
2. Strukturat prej betoni dhe çeliku, mbi 3 metra të larta dhe të ngulura nëntokë – TË NDALUARA!
3. Ngritja e themeleve mbi strukturat arkeologjike – FAKT!

Është shpuar me sondë dhe derdhur beton midis mureve dhe varreve të zbuluara!!!

TË BASHKOHEMI TË GJITHË PËR TË KËRKUAR MBROJTJEN E MUREVE DHE STRUKTURAVE TË ZBULUARA, E SHPALLJEN E TYRE MONUMENT KULTURE DHE MOSBETONIZIMIN E FRAGMENTIT TË MURIT RRETHUES TË QYTETIT (AKTUALISHT ËSHTË MBULUAR ME GURË ÇAKULL).

K.H.