AFGANISTAN– Vajza afgane 6 vjeçare, Naghma, u shit nga babai i saj te një i afërm i familjes për të shlyer një borxh që i ati i saj kishte. Taj Mohammad, babai i saj, përpiqet t’i mbajë fort lotët, kur mundohet të përshkruajë mënyrën se si e shiti të bijën, raporton “BBC”.
Tani Naghma është fejuar me një djalë 10 vjet më të madh se vetja. Ajo do të jetojë larg familjes, pranë familjes së të fejuarit të saj, për një vit të tërë. “Gjithkush në familje është i trishtuar. Ne qajmë, ne kemi dhimbje, por çfarë mund të bënim tjetër?”,- pyet gjyshja e saj.
Familja e vajzës thotë se nuk kishte ç’të bënin tjetër. Dimri afgan është shumë i ashpër dhe familja ka për të rritur dhe 7 vëllezër e motra të Naghma-s dhe ajo është shumë e vogël për të kuptuar se çfarë po ndodh.
“Për të mbajtur familjen time gjallë m’u desh të merrja një borxh prej 2 mijë e 500 dollarësh nga një kushëri i largët”,- thotë burri i shtëpisë. Familja sapo kaloi vdekjen e djalit 3 vjeçar dhe një daje në fillimin e ftohtë të këtij viti, kur kushëriri i kërkoi Mohammad-it t’i kthente borxhin.
Për këtë familja u detyrua të shiste vajzën e tyre më të madhe në moshën 6 vjeçare edhe pse ligji i ndalon martesat nën 14 vjeç për vajzat dhe nën 16 vjeç për meshkujt.