16 korrik 2015 – Vrapimi dhe shëtitjet e mëngjesit nuk kanë më tabu. Përkundrazi, tashmë gratë dhe vajzat janë të parat që mbushin shëtitoren “Taulantia” apo rërën e ngjeshur të plazhit për shëtitjet e gjata në bregdet.
Të konsideruara për shumë vite si kënaqësi që mund t’u lejoheshin vetëm meshkujve, shëtitja dhe vrapimi në shëtitoren bregdetare që në orët e para të mëngjesit është kthyer në një pasion të përditshëm jo vetëm për të rinjtë, por edhe për gratë e moshës së mesme e më tej.
Veçanërisht të moshuarat e kanë kuptuar se përveç mjekimit ka një “armë” shumë efikase për t’u përballur me sëmundjet kronike të moshës dhe kjo është natyra dhe shëtitjet në ajër të pastër. Shpeshherë të shoqëruara edhe nga familjarët, gratë dhe vajzat i kanë kthyer shëtitjet e gjata në bregdet në një ritual që nuk njeh tabu.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/