18 muaj pas dëmtimit që pësoi shëtitorja në Currila, askush nuk mund ta marrë me mend si është katandisur kjo zonë.

Operatori i “Durrës Lajm”, na sjell pamjet e shëtitores që qëndron e bllokuar nga dherat prej 18 muajsh.

Situta është apokaliptike. Shëtitorja prej betoni ka rënë në të gjthë gjatësinë e saj, si rezultat i dherave që kanë vijuar edhe këtë dimër të bien prej kodre, duke e prishur të gjithë strukturën e saj.

Tonelata dherash kanë zënë shëtitoren prej betoni që përshkonte të gjithë kodrën e butë, ndërsa balta që bie sa herë që ka shi, e bën terrenin edhe më të rrëshqitshëm.

Mbi 2 milionë euro u investuan në këtë vepër, por gëzimi i durrsakëve zgjati vetëm disa muaj, pasi erozioni e prishi strukturën e shëtitores.

Që prej tetorit të 2015-s, askush nuk ka vënë më dorë dhe as nuk ka kthyer kokën ndokush nga drejtuesit për të parë se në çfarë gjendje përfundoi kodra e Currilave, lulishtja e inaguruar nga kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e qershorit të 2015-s.

Jashtë funksioni ka dalë edhe trotuari buzë rrugës, ku një pjesë të kosiderueshme të tij duket se i kanë vjedhur pllakat. Edhe ato pemë të mbjella e të kultivuara me pisha e shkurre janë dëmtuar nga rënia e dherave dhe janë shembur në rrugë duke e lënë lakuriq të gjithë faqen. Që nga koha e ndërtimit të lokaleve buzë detit në gjatësinë e rrugës nga Brryli për në Currila, kjo shëtitore mbetet më e frekuentuara.

Për vitin kalendarik dhe elektoral 2017, bashkia nuk ka akorduar asnjë fond në buxhet për rehabilitimin e kodrës, që pati vetëm 6 muaj jetë.

K.H.