Deri pak kohë më parë të gjithë ishin skeptikë se çfarë po ndodhte në breg të detit, pas dy kullave binjake ku u depozituan mbetjet e projektit “Veliera”.

E gjithë sasia e dherave që u nxor nga rruga nëntokësore në sheshin ku po ndërtohet “Veliera” u depozitua në breg të detit, duke fituar tokë nga deti. Disa muaj më pas kjo zonë e cila nuk kishte asnjë lloj infrastrukture, ka marrë pamjen e një shëtitoreje të vërtetë. Punimet janë duke vijuar në këtë pjesë të shëtitores “Taulantia” me ndërtimin e një rrethrrotullimi për makinat, aty ku më herët gjendej një vendparkim mjetesh.

Ndërsa punimet janë ndërprerë në zonën arkeologjike A, kjo nuk ka ndodhur në pjesën tjetër, që nuk është zonë arkeologjike. Në vijim të punimeve mbitokësore të këtij sheshi, është duke u punuar në këtë pjesë që më parë ishte në territorin e shëtitores “Taulantia”.

Mbushja e detit me dhera dhe sistemimi i zonës ka bërë zgjatimin e shëtitores “Taulantia”. Në këtë zonë bashkia më herët ka planifikuar ndërtimin e një parkimi për makinat me kapacitet rreth 3 mijë makina, por deri tani asgjë nuk është e qartë, nëse parkimi do menaxhohet nga bashkia apo do e marrë privati me koncesion.

Ndjekim pamjet e marra nga operatori i “DurrësLajm”.

K.H.