Ndërsa ndërtimet pe leje po zaptojnë tashmë jo vetëm sipërfaqen e tokës, por dhe atë ujore, bashkia e Durrësit hesht dhe bën të paditurin ndaj masakrës që po i bëhet shëtitores Taulantia deri në bregdetin e Kallmit. Mungesa e gjelbërimit shqetëson jo pak qytetarët që apelojnë për mbjelljen e pemëve dekorative
Ndotja alarmante e detit vë në rrezik sezonin turistik dhe shëndetin e pushuesve. Drejtuesit e shëndetësisë dhe ata të mjedisit propozojnë zgjidhje afatshkurtra, por problematika e rrjetit të kanalizimeve në zonën turistike të Currilave kërkon një investim të rëndësishëm. Problemi në fjalë nuk duhet të vijojë të mbartet nga sezoni në sezon
Shëtitorja Taulantia, zemra e Durrësit, është padyshim emblema e qytetit bregdetar. Investimet kanë qenë spontane dhe pa një plan të mirëfilltë urbanistik, duke bërë që zona shumë të veçanta të mbeten në hije për shkak të problematikave që mbartin. Një prej tyre është edhe pjesa që vijon nga porti në Currila dhe përfundon në Kallm, të cilën natyra e ka stolisur me një bukuri të jashtëzakonshme. Të shumta janë problemet që vërehen, madje pranohen edhe nga drejtuesit lokalë. Nga hapësirat e zëna pa kriter deri tek lejet e ndërtimit që mbajnë firmën e bashkisë së Durrësit, nga ndërtimet pa leje tek kioskëzimi, nga ndotja e madhe e vijës bregdetare dhe zaptimi që iu bë bregut të detit e plazhit të dikurshëm, tek mungesa e gjelbërimit, infrastruktura e shkatërruar, ndotja akustike etj.
Punimet e fundit për rikonstruksionin e shëtitores u bënë gjatë vitit 2010, me një fond prej 50 milion lekësh, për t’i hapur rrugë investimeve të mëtejshme në këtë zonë me potenciale të jashtëzakonshme turizmi. I gjithë kuartalli për të cilin u krye studimi ka një sipërfaqe prej rreth 15.000 metër katror nga të cilat 3.000 metër katrorë janë sipërfaqe që u shtrua me pllaka të veçanta gjatë gjithë gjatësisë prej 300 metra të kësaj shëtitoreje. Fondi për rikonstruksion ishte rreth 50 milion lekë dhe firma zbatuese ishte D.A.E Konstruksion.
Nis të betonohet edhe bregdeti
Problematika serioze paraqitet në pjesën turistike nga shëtitorja, në zonën e Brrylit për të përfunduar në Currila, ku fenomeni i ndërtimeve pa kriter vazhdon të përhapet çdo ditë, por më paradoksal duket fakti që këto ndërtime po kryhen buzë detit, pikërisht, duke përfituar troje në kurriz të tij në një pjesë të konsiderueshme. Mjetet e rënda, që më së shumti punojnë në orët e natës, kanë mbushur hapësirat e mëdha me materiale inerte, ndërsa buldozerët po sheshojnë këto sipërfaqe të reja, duke shkaktuar një ndotje të madhe ekologjike. Prej disa javësh, mes kioskave të kthyera në bare, por dhe ndërtesave prej betoni kanë filluar të hidhen themelet e disa ndërtimeve të reja, në zonën nga Brryli deri në Currila, ndërsa strukturat e pushtetit lokal, por edhe Inspektorati i Ndërtimit kanë mbyllur sytë para një realiteti, që çdo ditë e më tepër po merr përmasa edhe më të rënda. Kjo problematikë bëhet edhe më e qartë kur kushdo që kalon nga këto anë sheh mjaft qartë gropat e hapura që gjenden kudo dhe ekskavatorët që vijojnë punimet. Ndërkohë, qytetarët shprehin shqetësimin e tyre lidhur me fenomenin e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, e pikërisht në këtë sipërfaqe të qytetit të Durrësit, e cila deri tani kishte mbetur deri diku e paprekur nga ndërtimet. Sipas mendimit të shumë qytetarëve, duket se pas zgjedhjeve lokale të një viti më parë, bashkia po favorizon ndërtimet përgjatë shëtitores Taulantia me qëllim “klienteliste” ndaj grupeve të veçantë. Nga të dhënat e Inspektoratit të Ndërtimit është mbi 20 numri i objekteve të ndërtuara vetëm këtë vit në këtë shëtitore.Ndërsa ndërtimet hedhin shtat asnjë ndërhyrje nuk është bërë nga strukturat e bashkisë, inspektorati në varësi të saj, apo edhe Inspektorati Kombëtar. Vetëm një numër shumë i vogël, i papërfillshëm në raport me objektet e ngritura, kanë marrë leje provizore nga bashkia, e cila ka detyrimin ligjor që, para hedhjes së themeleve, të kalojë kërkesën në Këshillin e Rregullimit të Territorit të qytetit dhe ta vlerësojë atë me ekspertët urbanistikë.
Rruga
Dëmtimi i akseve rrugore në këtë zonë turistike dhe vjedhja e kapakëve të pusetave në mënyrë të përsëritur janë aktualisht dy prej problemeve më të rënda për banorët e Durrësit. Në prag të stinës së verës qytetarët denoncojnë ndërhyrjet që janë bërë në rrugë nga subjektet private e ndërmarrjet shtetërore, të cilat përbëjnë burime të pashmangshme aksidentesh rrugore.
Në këtë segment, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka ndërhyrë në rrugë duke çarë asfaltin që është inauguruar vetëm pak kohë më parë. Në këtë situatë rruga është dëmtuar në pjesën më të madhe të saj dhe investimet prej miliona lekësh kanë shkuar dëm. As bashkia dhe as ndërmarrja e rrugëve deri tani nuk kanë marrë asnjë masë ndaj shkelësve të kontratës pasi ndërhyrjet janë bërë pa lejen e nevojshme nga KRRT-ja, e cila prej 30 shtatorit është shkrirë me vendim qeverie. Rruga është bërë “arna arna” në të gjithë gjatësinë e saj. Ndërsa një aks prej rreth 100 metrash ka disa muaj që rikonstruktohet dhe punimet zvarriten, duke krijuar probleme në trafik sidomos në parkimin e mjeteve pranë lokaleve buzë detit.
Shëtitorja Taulantia ishte e fundit rrugë e pabetonizuar, e ruajtur me fanatizëm nga të gjithë ish-drejtuesit e pushtetit lokal në vite. Kohë më parë, ishte kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili me një urdhër të brendshëm kërkoi prishjen e disa ndërtimeve që ishin bërë në këtë zonë me leje provizore. Dako, për këtë aksion, u shpreh para mediave se nuk do të lejohej ndërtimi i asnjë objekti në brezin e rërës në këtë shëtitore: “Është shëtitorja e qytetarëve dhe jo e ndërtuesve. Jemi kategorikë në këtë pikë, nuk do të lejojmë asnjë ndërtim, madje kemi gati edhe projektin për ndërtimin e rrugës deri në Kallm”, u shpreh Dako për mediat në vitin 2009.
Siç shihet, në këtë situatë kur ndërtimet kanë pushtuar të gjithë shëtitoren buzë detit, asnjë prej strukturave të bashkisë nuk e vë ujin në zjarr.
PROBLEMATIKAT
Largohen lojrat nga shëtitorja Taulantia
E gjithë sipërfaqja e shëtitores është mbushur me lojra të instaluara jo vetëm për argëtimin e fëmijëve, por edhe moshave të tjera. Lojrat janë të pa çertifikuara përsa i përket sigurisë së tyre, ndërsa nuk kanë munguar ngjarjet aksidentale, madje edhe me pasoja të rënda. Në një kaos të tillë, që mbretëron në shëtitoren Taulantia, ka mbërritur një urdhër i bashkisë së Durrësit për largimin e të gjitha lojrave nga sipërfaqja e ish-Vollgës. Pushteti vendor u ka kërkuar të gjithë administratorëve largimin e këtyre mjeteve argëtuese, ndërkohë që policia bashkiake po mbikqyr nga afër këtë proçes. Një pjesë e konsiderueshme e lojrave kanë nisur të ç’montohen dhe të largohen nga aty. I pyetur nga “Dyrrah” për këtë çështje, kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se lojrat kanë krijuar kaos dhe rrëmujë në shëtitore dhe nga ana tjetër ato janë të paçertifikuara. Dako tha se,- “administratorëve të tyre do t’u jepet leje që t’i rivendosin lojrat dhe të ushtrojnë aktivitetin e tyre në lagjet e brendshme të Durrësit, për të gjallëruar jetën edhe në periferi. Në shëtitore do të vendosen lojra të tjera të një kompanie të çertifikuar për ushtrimin e këtij aktiviteti”. Një vit më parë, një 15 vjeçar u aksidentua shumë rëndë, pasi u rrëzua nga një karusel i vendosur në shëtitoren “Taulantia”. Adoleshenti, gjatë kohës së rrotullimit kishte dalë nga ndenjësja e tij dhe përfundoi në muret rrethuese që ndajnë shëtitoren nga bregu i detit. Disa qytetarë e transportuan drejt spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa gjendja e tij shumë e rëndë i detyroi mjekët ta nisnin drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Policia shkoi në vendngjarje, por nuk mundi të ndalonte pronarin, pasi ai u largua nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohet ende nga organet e rendit.
Në shëtitore mungojnë pemët dekorative
Shëtitorja përqark saj ka disa palma, por një pjesë e tyre janë tharë, ndërkohë që në të gjithë këtë hapësirë syri nuk të sheh asnjë pemë dekorative. Nëse do të bënim një krahasim mes kohës para viteve ’90 dhe gjendjes aktuale të gjelbërimit në shëtitore, ndryshimi është mjaft i dukshëm, por fatkeqësisht nuk është në aspektin pozitiv. Vendin e hapësirave të shumta me bar, pemë e lule e kanë zënë betoni dhe pllakat. Mbjellja e pemëve dekorative ndihet si nevojë emergjente tani, kur po afron stina e verës dhe termometri fillon të rritet. Mungesa e pemëve përgjatë shëtitores i privon qytetarët nga hapësirat me hije ku mund të pushojnë gjatë orëve të vapës. “Duhet të mbillnin pemë, tani do të ishin rritur. Është e vetmja shëtitore në Durrës, por vetëm në mbrëmje mund të qëndrosh për të pushuar këtu. Në orët e tjera të ditës, është e pamundur, sepse dielli djeg e të bie vapa në kokë. As fëmijët nuk mund t’i nxjerrim shëtitje për shkak të mungesës së gjelbërimit”,- thotë Drita Rroshi, banore e lagjes numër 1. “Bashkia duhet të mbjellë pemë, sepse është e vetmja shëtitore në botë pa gjelbërim. Nëse do të kishte gjelbërim, këtu do pushonin qytetarët në çdo orë të ditës, ndërsa fëmijët do të gjenin një ambient më të mirë për ta. Apeli im si qytetare është: Mbillni pemë e mos e lini shëtitoren të vdekur gjatë ditës, por gjallëroni jetën në të”,- u shpreh qytetarja Flutura Toçi, e cila kishte dalë shëtitje me fëmijët e saj të vegjël.
Ish-kabinat e pushuesve, “gangrena” që nuk po gjen zgjidhje
Proçesi i privatizimit për ish-kabinat e pushuesve në plazhin e Currilave, i nisur një vit më parë para zgjedhjeve të 8 Majit, është bllokuar pa u dhënë asnjë shpjegim banorëve. Këta të fundit që jetojnë aty prej gati 20 vjetësh i kërkojnë strukturave të qeverisë privatizimin e tyre, ndërsa banesat janë jashtë çdo kushti banimi. “Dyrrah” këtë javë ka qenë në ish-kabinat e plazhit të Currilave ku jetojnë një numër i madh familjesh, të cilët deklarojnë se para një viti kanë përsëritur të gjitha dokumentat për privatizim, por ende asnjë gjë nuk është bërë. Mbi 75 familje që jetojnë në këtë zonë pohojnë se janë mashtruar para çdo fushate elektorale, me premtimin se do t’u kryhet privatizimi i banesave në të cilat u strehuan provizorisht në vitet ‘90 me statusin e të pastrehëve. “Na kërkuan dokumente. I bëmë dhe shpresuam se do të na i privatizonin, por ishte koha para zgjedhjeve të 8 Majit. Jemi po aty ku ishim, nuk është bërë asgjë. Akoma edhe më keq është situata jashtë. E shihni? Na kanë mbytur ujërat e zeza dhe plehrat, qeranë e kabinës e paguajmë çdo muaj”,- shprehet Azem Kerri, një prej banorëve, i cili jeton vetë i gjashtë në vetëm 15 metra katror banesë.
Zyra Ymeri, një banore, e cila mban statusin e të pastrehëve në xhep, kujton se për çdo rast votimesh politikanët u kanë kërkuar votën, po asnjëherë nuk i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi të mbartur. Banorët janë njohur edhe me një kërkesë të deputetit të Durrësit, Eduart Halimi, i cili mori përsipër që të çojë në qeveri një ligj për privatizimin e ish-kabinave, por që deri tani nuk dinë ç’është bërë më tej, kjo edhe për faktin që asnjë zyrtar nuk u ka trokitur në derë për t’u dhënë qoftë edhe një shpjegim.
Kabinat e plazhit u ndërtuan në vitet ‘70-80 për pushuesit 15 ditorë që zgjidhnin Durrësin për të kaluar pushimet verore. Pas viteve ’90, pushteti lokal i asaj kohe strehoi në këto kabina familjet me urgjencë strehimi, por pas më shumë se dy dekadash situata vetëm është përkeqësuar.
Uji i detit me ngarkesë të lartë bakteriale
Uji i detit është i ndotur disa herë më shumë se normat e lejuara dhe alarmi është vënë nga mjekët higjenistë. Ndotja shkaktohet kryesisht nga ndërtimet pa kriter që hedhin shtat në këtë zonë si dhe nga ujërat e zeza që derdhen në det. Kjo nuk është hera e parë që një situatë e tillë konstatohet në prag të nisjes së sezonit turistik. Edhe vitet e kaluara institucionet shëndetsore kanë vënë alarmin në këtë drejtim, por situata vijon të mbetet e njëjtë. Ndërsa specialistët e mjedisit apo ata të shëndetësisë japin vetëm zgjidhje afatshkurtra, as pushteti lokal dhe as ai qendror nuk kanë hartuar një strategji që do t’i jepte fund njëherë e mirë sistemimit të rrjetit kanalizues në këtë zonë turistike të qytetit.
Ziu: Ndotja e detit, alarmante
Kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik Parësor të Durrësit, Vasil Ziu, u shpreh për gazetën “Dyrrah” se “situata është problematike kryesisht në shëtitorja Taulantia deri në Currila, ku ka ndotje të madhe bakteorologjike për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në det. Ne si drejtori nuk jemi në gjendje të zgjidhim problemin e kanalizimeve. Ajo që mund të bëjmë ne është monitorimi i shpërndarjes së ujit dhe monitorimi i largimit të ujërave të ndotura. Ne kemi ngritur grupe të përbashkëta me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe me Agjensinë e Mjedisit, me qëllim që kontrollet tona të gjejnë zbatim nga këto institucione. Aksioni i përbashkët për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme ka nisur javën e fundit me Agjensinë e Mjedisit. Këtu ka një handikap të madh, sepse ne i ndërpresim këto lidhje, po ku do shkojnë këto ujëra? Pikat e nxehta janë: zona tek Shkëmbi i Kavajës; zona e shëtitores Taulantia, ku derdhen një pjesë e madhe e ujërave të zeza të qytetit; zona e Currilave, ku janë rreth 75 familje që nuk kanë rrjet kanalizimesh etj. Kjo situatë jo vetëm dëmton turizmin, por njëkohësisht bëhet shkak edhe për mbartjen e infeksioneve të rënda”. Në të njëjtën kohë Ziu ngriti dhe një shqetësim tjetër. Tërheqja e ujërave të zeza nga plazhi, i cili është në një kuotë me nivelin e detit dhe ndërtimet e shumta pa leje që janë bërë kanë ndikuar në sistemin e pompimit. Kjo ka sjellë ndotjen e rërës dhe të detit. Sipas tij për t’i dhënë zgjidhje këtij fenomeni mjaft shqetësues duhet realizuar një investim i rëndësishëm si nga qeveria ashtu dhe nga pushteti lokal, sepse në të kundërt situata do të përkeqësohet edhe më tepër.
Kalia: Në Currila të ngrihet një gropë septike
Ramazan Kalia drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit deklaroi për të përjavshmen “Dyrrah” se e vetmja zgjidhje para sezonit veror në zonën e Currilave është ndërtimi i një grope septike për të mos derdhur direkt në det ujërat e papastra. “Ky është problem i hershëm, tek zona e ish-kabinave, pasi ujërat e zeza derdhen direkt në det. Bashkia nuk e merr përsipër zgjidhjen e problemit, pavarësisht se është kompetencë e saj, ndërsa ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve nuk ka kompetencë për një ndërhyrje të tillë. Pas urdhërit të prefektit po realizohet ndërhyrja nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve”. Drejtori i ARM-së pranon se ka raste të ndërtimeve në det, të cilat janë realizuar duke mbushur me inerte sipërfaqen ujore e duke përfituar kështu troje në kurriz të saj. “Është shumë e thjeshtë, duhet të ndërhyjë Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë dhe Inspektorati Urbanistik Kombëtar. Ne kemi për detyrë të monitorojmë situatën, të vëmë në dijeni të gjithë institucionet dhe të ndërhyjmë aq sa janë mundësitë e inspektorëve të Mjedisit. Nëse duhet që këtë punë ta zgjidhë Drejtoria Rajonale e Mjedisit, le të shkrihen këto institucione dhe të na i japin ne kompetencat e tyre!”, tha Kalia.
“Vija e Kaltër”, Utopi
Gjatë fushatës elektorale Vangjush Dako prezantoi studimin mbi vijën bregdetare me emrin mjaft kuptimplotë “Vija e Kaltër”. Gjatë këtij prezantimi ku merrnin pjesë mjaft arkitektë, intelektualë, drejtues institucionesh dhe qytetarë të Durrësit kryebashkiaku Dako nënvizoi se me këtë studim nis një “epokë e re urbane” për qytetin. Ky studim, sipas tij, do ta bëjë Durrësin të përkufizohet si porta drejt perëndimit, qyteti i jetesës më të mirë dhe jetesës pranë detit dhe qytet i trashëgimisë kulturore. Dako detajoi edhe rrugën në të cilën do të shtrihej projekti “Vija e Kaltër”, që nis me portin turistik të qytetit, vazhdon me promenadën në shëtitoren Taulantia, Brrylin, plazhin e Currilave duke pasur si segment fundor Kallmin, që është një zonë e paprekur natyrore. “Projekti parashikon një port funksional me destinacion kryesisht turizmin, me zona pushimi, me hapësira për aktivitete kulturore dhe zhvillimin e eventeve të ndryshme. Kjo do të rrisë numrin e bizneseve dhe do të krijojë vende të reja pune. Do të rritet vlera e pronës duke respektuar në maksimum pronarët e ligjshëm. Plazhe të reja do të krijohen duke marrë sipërfaqe nga deti dhe në zona të caktuara do të ketë zhvillim të një turizmi elitar”. Por ky projekt madhështor nuk është përmendur asnjëherë pas zgjedhjeve te 8 Majit.