Rehabilitimi i shëtitores “Taulantia” do të vijojë sërish me dy investime të ndryshme përgjatë këtij viti.

Hapësira më e madhe publike e qytetit të Durrësit, rreth 3 vite pas rikonstruksionit të saj, që kushtoi rreth 363 milionë lekë të reja, investim ky i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të rehabilitohet sërish në dy pjesë fundore të saj.

Investimi i parë, për të cilin u zhvillua tenderi dhe u përcaktua firma fituese në muajin e fundit të vitit që sapo lamë pas është në vlerën rreth 13 milionë lekë.

Investimi që do të realizohet me fondet e bashkisë do të përqendrohet në fillimin e shëtitores bregdetare, nga porti i peshkimit deri në afërsi të monumentit “Sono persone/ Janë njerëz”,dedikuar eksodit të 8 gushtit 1991.

Në fotot e projektit të siguruara nga “DurrësLajm” është dukshëm e qartë zona, se ku do të përqendrohet investimi.

Në zërat e punimeve, që do të realizojë në terren bashkimi i kompanive MF INVEST GROUP & MANE/S është parashikuar prishja e shtresave të betonit dhe trotuarit, heqja e rreth 200 pemëve ekzistuese, si dhe mbushja me çakull, e gur guroreje për të krijuar platformën me gurë që do të konsistojë në zgjerimin e shëtitores.

Loti i tretë i rehabilitimit të shëtitores “Taulantia” do të konsistojë edhe në punime gjelbërimi dhe ndriçimi.

“DurrësLajm” kërkoi pranë bashkisë më shumë informacione lidhur me projektin e punimeve të lotit të tretë, por brenda orarit zyrtar nuk na u komunikua asnjë përgjigje.

Ndërkohë, ky nuk është i vetmi investim me fondet e bashkisë në shëtitoren bregdetare. Një tjetër parashikohet të kryhet gjatë vitit, siç edhe e paralajmëroi kryebashkiakja Emiriana Sako, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për vitin 2023.

“Do të vijojë edhe rikonstruksioni i shëtitores “Taulantia”, në segmentin nga pista tek Sfinksi, pra në segmentin ku kemi stolat me dërrasa, të cilat kanë nevojë për mirëmbajtje të çdovitshme dhe prandaj kemi planifikuar që të bëjmë një ndërhyrje për ta përmirësuar situatën aty”,- deklaroi Sako rreth 2 javë më parë, ndërsa nuk dihet ende sa do t’u kushtojë tatimpaguesve durrsakë kjo ndërhyrje e radhës në shëtitoren bregdetare.

Investimi i fundit në shëtitoren “Taulantia”, i përfunduar verën e vitit 2021, la pas pirgjet me leshterikë që krijohen në pjesë të ndryshme të saj sa herë deti trazohet në Durrës, por edhe “liqene” të improvizuara në kohë reshjesh.

Ndërhyrja e mjeteve të rënda të Ndërmarrjes së Pastrimit është e nevojshme disa herë gjatë vitit për të larguar malet me leshterikë, që dalin në shëtitore.

Nuk dihet nëse loti i tretë i punimeve do t’i zgjidhë këto problematika apo do të krijojë të tjera në vijimësi.

Me dy ndërhyrjet që parashikohet të realizohen përgjatë këtij viti tek Ish-Vollga, siç e njohin durrsakët, pushteti vendor në Durrës dëshmon se u rikthehet disa herë të njëjtave investime publike.

Shëtitorja “Taulantia” i përngjet “Velierës”, që pavarësisht fondeve “të gëlltitura” nuk po përfundon ende , apo bulevardit “Dyrrah” që shkepet çdo dy vite për të zëvendësuar gurët e dëmtuar dekorativë, me të cilët është shtruar.

M.B.