Dimri i këtij viti u tërhoq duke i lënë vendin stinës së ngrohtë. Por ky dimër i cili pati stuhi e fortunal me përmbytje, ka lënë pas dëme të konsiderueshme në infrastukturë, për të cilat bashkia duhet të nisë shpejt e të ndërhyjë.
Të dëmtuara kanë mbetur shumë akse rrugore, por edhe shëtitorja “Taulantia” e shumë frekuentuar buzë detit. Pasqyra e qytetit të Durrësit është në gjendjen më të keqe të saj për shkak të leshterikëve e mbetjeve urbane, të cilat deti i ka lënë në të gjithë gjatësinë e saj.
Leshterikët ia kanë bllokuar frymëmarrjen këtij bregdeti duke filluar nga ky shesh e duke përfunduar deri në grykederdhjen e lumit të Ishmit në pjesën më veriore te rrethit të Durrësit.
Ndërkohë në shëtitore, dallgët kanë prishur muret mbajtëse por edhe një sipërfaqe të madhe të dekoruar me dërrasa, ku qëndonin të rriturit e luanin fëmijët. Përveç dërrasave, në llumnajën e një bregu të ndotur bien në sy edhe thyerja e një blloku çimentoje. Ekspozimi ndaj agjentëve atmosferikë e kryesisht në stinën e dimrit, i dërrasave, ka sjellë dëmtim të madh të tyre. Këtu sikurse shikohet, dallgëve nuk u ka rezistuar betoni, ndërsa dërrasat prej druri janë krejtësisht të pambrojtura nga furia e detit.
Bashkisë i bie detyrë që të nisë riparimin sepse koha e nxehtë i sjell pushuesit në derë, dhe një pamje e tillë nuk i pëlqen askujt jo vetëm ta shohë, por të jetë pjesë e saj sikur edhe në një shëtitje rutinë.
Ndjekim pamjet e operatorit të “DurrësLajm”.
K.H.





