Shëtitorja “Taulantia” ishte mbrëmjen e së enjtes ndalesa e dytë për Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimeve Popullore 2023.
Në edicionin e parë të këtij eventi kulturor që u zhvillua në Tiranë dhe Durrës, 7 ansamble të këngëve dhe valleve popullore nga Shqipëria, Bullgaria dhe Serbia shpalosën para artdashësve durrsakë dhe turistëve të huaj shumëçka nga tradita popullore dhe folklori i tyre.
Me larmishmërinë e kostumeve, muzikën folklorike, këngët dhe vallet ato i dhanë shëtitores “Taulantia” shumë gjallëri dhe ngjyra.
Për shumë nga anëtarët e trupave folklorike nga Bullgaria dhe Serbia, kjo është hera e parë që vijnë në Shqipëri, por jo e fundit.
Një nga valltaret e njërit prej grupeve nga Bullgaria rrëfen se ka kaluar 6 ditë fantastike në vendin tonë.
Festivali ndërkombëtar i Vallëzimeve Popullore është eventi i radhës i këtij lloji në Durrës, pasi në datat 21 dhe 22 gusht, trupa nga Ukraina, Bjellorusia dhe Shqipëria morën pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit.
Për dy netë me rradhë Sheshi “Liria” u shndërrua në një arenë ngjyrash e tingujsh krijuar nga grupet pjesëmarrëse në festivalin ndërkombëtar të organizuar nga Taylis event & Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”, me mbështetjen e bashkisë Durrës.
M.B.