Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin “Wake Up” ka sqaruar postimin që ajo ka bërë disa ditë më herët në rrjetet social, ku njofton se pas orës 19:00 shezloget do jenë falas.
Ajo shprehet se nuk ka postuar një njoftim të tillë në rrjetet e saj sociale dhe e gjitha është një fotomontazh.
Gazetarja: Siç ka reklamë të mirë, ka dhe të keqe, rrjetet sociale kanë gjithçka në dorë sot dhe është bërë virale kohët e fundit, një postim ku ju shpreheni se pas orës 19:00 shezlonget do jenë falas, ka diçka të vërtetë këtu?
Mirela Kumbare: Ku është ky postimi im?
Gazetarja: Pra është një montazh po thoni?
Mirela Kumbare: Ky është një fotomontazh që nuk ka ekzistuar kurrë, që nuk e kam postuar kurrë, që nuk e kam thënë kurrë dhe më vjen shumë keq të marrim kohë dhe hapësirë për t’u marrë me një shpifje të radhës. Shumë faleminderit që ma dhatë këtë mundësi, unë thjesht e injorova në fundjavën kur qarkulloi. Është thjesht një montazh i rremë që nuk ka ekzistuar kurrë. Fotografia që shohim është marrë nga faqja ime e Instagramit, nuk është fare e Himarës. Është plazh publik në Sarandë, Bashkia e Sarandës gjej mundësinë ta falënderoj dhe një herë, ishte e para që nisi modelin e një plazhi publik, të organizuar nga bashkia me çadra e shezlonge të vendosura nga bashkia, pa pagesë për pushuesit të cilët duan të rinë në një plazh publik dhe jo në një plazh të menaxhuar.
Ministrja Kumbaro gjithashtu ka komentuar edhe bumin e madh që ka pësuar turizmi në Shqipëri vit pas viti, ku po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Ajo shprehet se evolucioni i turizmit në Shqipëri vjen si rezultat i një pune të përmuajshme dhe përvitshme nga faktorët socialë, ekonomikë, të qeverisë, dhe sektorit privat. Po aq e rëndësishme sipas saj është promocioni dhe rrjetet sociale.
“Është një evolucion që ka ardhur gradualisht nga një vit në tjetrin. Ka një përmirësim të ndjeshëm, të dukshëm, të prekshëm të imazhit të Shqipërisë, gjë që nuk ndodh në një ditë, për ndodh si rezultat i një pune të përmuajshme dhe të përvitshme të të gjitha këto faktorëve sociale dhe ekonomikë, të qeverisë, të bashkive, të sektorit privat të cilët emancipohen duke emancipuar të gjithë Shqipërinë. E dyta ky përmirësim i imazhit është promocioni dhe ambasadori më i mirë që ne mund të kemi. Rrjetet sociale kanë qenë një avokat shumë i mirë i Shqipërisë qoftë në Instagram, Facebook apo TikTok”, shprehet Mirela Kumbaro.