Ditën e enjte, me mbylljen e “Tour Shqiptar 2021”, u shfaq në sallën e Pallatit të Kulturës në Durrës filmi “The Albanian Code”, i regjizorit israelit me origjinë italiane Gady Castel.
Filmi, i prodhuar nga “Production Katzir”, nën prezantimin e producentit Izraelit Gadi Castel, flet për mikpritjen dhe “besën” që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gadi Castel tha për kamerën e “DurrësLajm” se ndodhej aty për të falenderuar personalisht popullin shqiptar për ndihmën e dhënë.
“Jam në qytetin e Durrësit për të shfaqur filmin që ne kemi bërë për ndihmën që populli shqiptar i dha popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Spektatorët e shikojnë filmin, kurse unë jam këtu vetë personalisht për të treguar më tepër për filmin dhe për të falenderuar popullin shqiptar për ndihmën”, u shpreh ai.
Me promovimin e këtij filmi në disa qytete kryesore shqiptare, producenti dhe regjizorja duan ti thonë edhe njëherë “Faleminderit Popullit Shqipar për ndihmën e madhe dhe mikpritjen e hebrenjve!”, duke i shpëtuar ata nga kampet e përqëndrimit nazist.