Pasion, motivim, dashuri për sportin por edhe para, shumë para të fituara nga tenistët, disa nga motivet që pse sportistët mbi 30 vjeç në këtë sport vazhdojnë ende të luajnë, gjë e cila nuk ndodhte një dekadë më parë. Dhe “mbreti” i klasifikimit të tenistëve më të paguar përgjatë një viti, qershor 2016 – qershor 2017, është zvicerani Roger Federer.
Edhe pse ai nuk ka luajtur në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, numri 2 aktualisht në botë ka arkëtuar 53 milionë euro, duke e bërë tenistin zviceran një “makinë” të vërtetë parash. Këtë vit ai pritet të jetë në “top-10”-shen e sportistëve më të paguar të revistës “Forbes”. Kjo shumë është pa përfshirë bonueset e ndryshme të fituara në dy grand slemet e këtij viti (Australian Open dhe Wimbledon), duke qenë kështu në krye të listës.
Pak kohë më parë, Federer nënshkori edhe një kontratë me markën italiane të makaronave “Barilla”, nga e cila do të përfitojë 35 milionë euro për 5 vite, ndërkohë që tenisti bën edhe reklamat e mjaft firmave të njohura në botë.
Federer arkëton 10 milionë euro në vit nga Wilson, Credit Suisse, Mercedes, Rolex, Lindt, Jura, Moet & Chandon, Sunrise, NetJets dhe Nike. Ndërsa për të marrë pjesë në një turne, zvicerani kërkon minimalisht 2 milionë euro.





