3 nëntor 2015 – Deputetët e Komisionit të Ekonomisë dëgjuan dje raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2014. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, tha se për zbatimin e buxhetit e 2014 janë audituar 129 institucione nga ku është konstatuar një dëm ekonomik në shumën prej 108,8 miliardë lekësh ose 1 miliard dollarë.

Pjesa më e madhe e shkeljes është për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes kompanisë CEZ me qeverinë në vlerën e 479 milionë eurove. Nga 481 tenderët e audituar, në 399 prej tyre janë konstatuar 1,254 shkelje të procedurave të prokurimit, duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në shumën e 939 milionë lekë.

Pra, nga tenderët e kontrolluara, 80 për qind e tyre janë gjetur me shkelje. Sipas kryetarit të KLSH-­së, shkeljet më të mëdha në tenderë janë gjetur në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Arsimit.

“Nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme janë evidentuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh në procedurat e prokurimeve publike të realizuara, të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 85 milionë lekë.

Nga auditimi në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve rezultoi se vetëm për një procedurë prokurimi me objekt ‘Ndërtimi i objektit, Tirana Olimpik Park’, sekretari i Përgjithshëm i MAS ka ndikuar në vendosjen e kritereve diskriminuese, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, duke paracaktuar fituesin e garës, duke i shkaktuar shtetit një kosto shtesë në vlerën prej 79 milionë lekësh, vetëm nga një procedurë.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, si rezultat i moszbatimit të kritereve ligjore gjatë zhvillimit të procedurave u konstatua një dëm ekonomik prej rreth 130 milionë lekësh”.

Dëme të larta sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit janë konstatuar edhe nga kompania “Alpetrol” dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në përdorimin pa kriter të burimeve të naftës.

Në Komisionin e Ekonomisë deputetët u përfshinë në debat edhe për auditin e CEZ, ku kreu i Komisionit nuk lejoi deputetët të adresonin pyetje rreth këtij auditi pa u miratuar nga Kuvendi kërkesa e KLSH-së. Leskaj i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një komisioni ad hoc të pavarur, me ekspertë dhe teknikë që do të vlerësonin me detaje dëmin nën drejtimin e çekëve dhe do të përcaktonin mundësinë për një rimëkëmbje të Operatorit të Shpërndarjes, duke përcaktuar përgjegjësitë institucionale dhe individuale që çuan në këtë situatë. Në lidhje më këtë çështje, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të paraqesë argumente më të hollësishme, por pasi kërkesa e tij për t’u dëgjuar të aprovohet nga Kryesia e Kuvendit. /Panorama

/portali DurresLajm/