30 tetor 2015 – Kanceri i gjirit zë vendin e parë të ekzaminimeve të sëmundjeve kancerogjene për qytetin e Durrësit. 200 raste të reja me kancer të gjirit janë zbuluar për 9-mujorin e 2015-s, shifër kjo alarmante për strukturat e shëndetësisë. Për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar gratë dhe vajzat e qytetit bregdetar, Drejoria e Shëndetit Publik një ditë para mbylljes së fushatës ndërgjegjësuese të muajit tetor, ka organizuar sërish në qendër të qytetit një fushatë duke shpërndarë mesazhet sensibilizuese për depistimin e parandalimin e kësaj sëmundjeje.
“Vetëekzaminohuni dhe shkoni te mjeku i familjes, bëni mamografinë, ushqehuni shëndetshëm, mos rrini para televizoirt, dhe bëni aktivitet fizik”, ishte mesazhi i Evelina Balliut nga Drejtoria e Shëndetit Publik Durrës.
Edhe deputetja e Partisë Socialiste Esmeralda Shkjau, iu kërkoi grave t’i drejtohen mamografisë së spitalit e të ekzaminohen. “Kjo sëmundje mund të parandalohet, të ekzaminohet në kohë e të kurohet, për të arritur rezultate të mira.”
250 raste çdo vit në Durrës
250 raste të kancerit të gjirit zbulohen çdo vit në Durrës. Mjekja Evelina Balliu thotë se Mamografia në spitalin e Durrësit është në funksion, dhe për gratë mbi 50 vjeçe është falas edhe për ditën e nesërme. Më pas, kundrejt një pagese mund të depistohen të gjitha femrat e çdo moshe.
/K.H. portali DurresLajm/