Teuta di si fitohet ndaj Egnatias. Durrsakët do të luajnë takimin e ardhshëm ndaj ekipit të Tetovës, me të cilët kanë statistika pozitive dhe ua kanë marrë dorën dy vitet e fundit, ku në shtatë ndeshjet e zhvilluara, Teuta ka fituar katër, dy kanë përfunduar në barazim dhe një shkon për Egnatian. Ndërkohë, nëse marrim të gjitha ndeshjet, edhe ato të viteve 2004 e 2005, bilanci është me 8 fitore për “djemtë e detit”, dy barazime dhe një fitore për rrogozhinasit.
Një faktor që shkon në favor të ekipit të Edi Martinit është edhe rehatia që ka Egnatia, teksa me fitoren e fundit ndaj Erzenit siguruan vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Europë, e kështu motivimi nuk do të jetë në shkallë maksimale.
Nga ana tjetër edhe Teuta është me një sy nga zona europiane, teksa synohet vendi i katërt, ku Vllaznia është vetëm një pikë më shumë. Sa i përket situatës në ekip, çdo gjë ka vijuar normalisht.
Stërvitja e djeshme ka nisur me një analizë të shkurtër nga trajneri Martini, i cili ka kërkuar mobilizim edhe për këto dy javë të mbetura. Në lidhje me grupin, Teuta nuk do të vuajë asnjë mungesë, teksa edhe mbrojtësi Jazxhi, i cili ishte i pezulluar është rikthyer dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Egnatian.