Përpunimi i mallrave në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 ka njohur rritje të ndjeshme, duke arritur pothuajse në kufijtë e shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve përpunuese që ky port ofron në kushtet aktuale, atë të 5 milionë tonë/vit.
Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, gjatë periudhës janar- dhjetor 2021, në portin më të madh në vend janë përpunuar 4,438,611 tonë mallra, 9% më shumë se në vitin 2019, përpara pandemisë.
Sipas të dhënave statistikore të APD-së, aktiviteti përpunues në të 4 terminalet portuale është rritur krahasimisht me vitin 2020, kur ishin prezente masat kufizuese anti-Covid, por edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019 dhe atë të 2018-s, që respektivisht kanë rezultuar në bilance vjetore me: 3,881,976 tonë (2020), 4,072,543 tonë (2019), 3,614,606 tonë (2018).
Rritja e volumeve tregtare është pasqyruar dhe në rritjen e të ardhurave të APD-së, që për vitin kalendarik 2021 kanë arritur në 2,794,828,618 lekë ose 48 % më shumë se 2019 dhe 12 % më shumë se në 2020.
Ndërsa fitimi para tatimit është rritur me 26.55 %, po krahasuar me vitin 2020. Divizioni i Financës, konfirmon dhe rritjen e të ardhurave për metër katror me 434 lek/m2 më shumë, duke nxjerrë në pah dhe mirë-administrimin e sipërfaqeve portuale.
Mirëadministrimi i të ardhurave, likuiditeteve dhe shërbimeve janë disa prej indikatorëve që kanë ndikuar në këtë performancë financiare të një prej kompanive shtetërore më të mëdha në vend. Divizioni i Financës dhe Administrimit në Autoritetin Portual Durrës bën të ditur se ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë performancë ekonomiko-financiare janë :
- -Politika tarifore të adaptuara me tregun rajonal dhe Europian;
- -Mirëadministrimi i shërbimeve në Terminalin e Konteinerëve;
- -Mirëmenaxhimi i likuiditeteve ndërthurur dhe me menaxhimin rigoroz të debitorëve duke siguruar një rritje të arkëtimeve;
- -Ulja e nivelit të humbjeve për shpenzime në ujë dhe energji për subjektet të cilët operojnë në territorin e APD-së;
- -Mirëadministrimi i të ardhurave përkundrejt shpenzimeve në lekë dhe valutë.