Në pamjet që “DurrësLajm” sjell nga vendngjarja, kjo është gjendja e mjetit “BMW X5” në pronësi të drejtorit Ardian Gurra, që u shkrumbua gjatë natës në Durrës.

Sipas hetimeve paraprake, blutë e Durrësit dyshojnë se djegia e makinës është jo e qëllimshme. Dyshohet se shkak është bërë një shkëndijë elektrike, fillimisht zjarri ka rënë në kroskot, e më pas flakët janë përhapur në të gjithë mjetin.

Ngjarja u regjistrua rreth mesnatës te rruga paralel me portin, ku mjeti i Gurrës me targa AA 885 NR ndodhej i parkuar.

Drejtori i Arsim-Kulturës dhe Komuniteteve Fetare në Bashkinë e Durrësit, Ardian Gurra, ka deklaruar para oficerëve të policisë se nuk ka asnjë konflikt me asnjë person.

Informacioni paraprak i policisë:

Më datë 20.04.2018, rreth mesnatës,  në lagjen Nr.4 Durrës është djegur automjeti tip BMW  X5, në pronësi të shtetasit A.G.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë dhe është ngritur grupi hetimor.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak ka qenë një defekt në pjesën e kroskotit në automjet.