Shijak, 28 maj 2014 – Dy grindje për motive të dobëta në harkun kohor të disa orëve kanë shkaktuar dy të plagosur me mjete të forta në Shijak dhe Sukth.
Në orët e vona të mbrëmjes së të martës, ndërsa po zhvillonin një lojë bilardo në ambientet e një lokali në fshatin Qerret të Shijakut at e bir, G.D., 54 vjeç dhe B.D., 22 vjeç janë konfliktuar me një bashkëfshatarin e tyre 20 vjeçar. Tre shtetasit janë rrahur njëri me tjetrin dhe nuk ka munguar përdorimi i stekave të bilardos si mjet goditës, sidomos nga ana e 54 dhe 22 vjeçarit. Për pasojë 20 vjeçari A.I. është dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit dhe ndodhet nën trajtimin mjekësor të bluzave të bardha të spitalit të Durrësit. Ndërkohë at e bir janë shoqëruar në komisariatin e Shijakut për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Gjatë ditës së djeshme, një tjetër i ri shijakas ka mbetur i përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me dy të rinj nga Sukthi. 17 vjeçari F.D. ka deklaruar në polici se ndërsa ndodhej mesditën e së martës në Sukth është goditur me mjete të forta nga dy të rinj, përkatësisht S.Gj., 18 vjeç dhe L.B., 19 vjeç. Pasi kanë rrahur 17 vjeçarin, dy shokët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia po punon për kapjen e tyre. Mbi dy të rinjtë rëndon akuza për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





