Efektivat e Policisë së Shijakut kanë shoqëruar një person, i cili mësohet se është i dyshuari kryesor për atentatin ndaj policit bashkiak. Burimet zyrtare policore nuk kanë bërë të ditur identitetin e të shoqëruarit, pasi janë ende duke kërkuar për bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që edhe vetë ngjarja nuk është zbardhur plotësisht. Por, burimet zyrtare policore nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe nuk ka aspak lidhje me punën e të plagosurit si punonjës i Policisë Bashkiake të Shijakut.
Plagosja ndodhi pak orë më parë, teksa polici bashkiak i Shijakut kishte qenë duke shkuar në shtëpi dhe ishte duke ngjitur shkallët e pallatit për në katin e tretë, tek banesa e tij. Aty një apo disa persona e kanë pritur dhe kanë hapur zjarr. Sipas burimeve policore, ndaj tij është hapur zjarr me pistoletë dhe plumbi e ka goditur në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, ende nuk është qartësuar fakti se ngjarja ka qenë me të vërtetë plagosje apo një vrasje e mbetur në tentativë.





