Banorët e fshatrave të Shijakut, përmes të cilëve kalon rruga e vjetër nacionale Durrës-Tiranë kanë zhvilluar paraditen e sotme një marshim proteste.
Rreth 300 banorë të zonës kanë marshuar për rreth 2 km në shenjë proteste për indiferencën e treguar nga strukturat shtetërore për gjendjen e rrugës nacionale.
Gropat e mëdha të krijuara në asfalt e bëjnë thuajse të pakalueshëm këtë aks.
Gazetarja e DurrësLajm ka ndjekur nga afër marshimin e banorëve, i cili po mbikqyret nga efektivët e policisë së komisariatit të Shijakut.
Edhe njëherë tjetër, në 15 shkurt, ata patën ngritur zërin për gjendjen tërësisht të amortizuar të këtij aksi rrugor, i lënë në mëshirën e fatit prej shumë vitesh. Banorët patën deklaruar rreth një muaj më parë se prodhimet bujqësore e blegtorale nuk mund t’i nxjerrin në treg, pasi aksi është bërë i pakalueshëm.
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i kërkoi në muajin shkurt Ministrit të Transporteve Damian Gjiknuri investim për rikonstruksionin e këtij aksi, që prej shumë kohësh e ka humbur funksionin e tij dhe s’mund të konsiderohet më rrugë.
Por duket se aksi në fjalë nuk është në prioritetet e qeverisë, pavarësisht se ky aks përballon fluksin e automjeteve, sa herë ka bllokim trafiku në autostradën Durrës-Tiranë.
K.H.





