Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, Shijaku ishte ndër qytetet më të goditura dhe me më shumë dëme materiale. Të dëmtuara mbeten dhe shumë nga godinat arsimore, 6 prej të cilave do të rindërtohen nga e para. Ato pritet të hapin dyert më 26 nëntor.
Kryetari i bashkisë së Shijakut Elton Arbana ka dhënë sot detaje lidhur me projektin e plotë të gjimnazit “16 Shtatori”, i cili përveçse do të rindërtohet edhe do të zgjerohet me klasa e laboratorë të rinj.
Fillimisht ky projekt përmbante 11 klasa. Pas takimeve që vetë Arbana ka pasur me komunitetin dhe mësues të shkollës, i është përgjigjur kërkesave të tyre dhe projekti përfundimtar përmban 12 klasa, 4 laboratorë, 11 ambiente shërbimi dhe një bibliotekë.
Arbana shkruan në rrjete sociale se: “Fuqia e vërtetë për mua është zëri i komunitetit, të cilin e dëgjoj gjithmonë për t’u orientuar në punën time të përditshme”.
Postimi i tij i plotë:
Gjimnazi i Shijakut po ndërtohet krejtësisht i ri dhe i sigurtë.
Fillimisht në projekt ishin përcaktuar 9 klasa. Pas takimeve që kam pasur me mësues dhe prindër të shkollës, që më shprehën kërkesën për një numër më të madh klasash, unë përcolla zërin e komunitetit dhe tani po ndërtohet një shkollë me standarte europiane me 12 KLASA dhe 4 LABORATORË si dhe me ambiente sportive.
Fuqia e vërtetë për mua është ZËRI I KOMUNITETIT, të cilin e dëgjoj gjithmonë për tu orientuar në punën time të përditshme.
Mbi gërmadhat e tërmetit ne po përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme të bukur. Dhe kjo nuk është vetëm e ardhmja ime, por e gjithësecilit nga ne që jetojmë në Shijak.
Duhet të jemi të arsyeshëm përballë fakteve. Pse të mos shohësh dhe të thuash TË MIRËN?
Realisht Shijaku po ndryshon, shtëpitë PO NDËRTOHEN, shkollat, kopshtet, çerdhja gjithashtu. Por nuk mund të ndërhyjmë te prirja pesimiste që disa njerëz shfaqin pa arsye e pa fakte. Ndryshimi dhe perceptimi pozitiv fillon nga ne.
Unë vazhdoj të jem optimist, sepse Shijaku po përjeton periudhën MË TË ARTË të tij. Na duhet vetëm të jemi MIRËNJOHËS për gjithë mbështetjen maksimale që po na jep KRYEMINISTRI RAMA.
Këtu nuk ka ngjyra politike, por thjesht reagim njerëzor dhe gjykim se kush po na ndihmon në momentet e vështira që kaluam. Uroj ta shikoni dhe ju këtë!
Ku ka vullnet, ka zgjidhje!
Projekti i shkollës “16 Shtatori”
Numri i klasave në total: 16
Klasa mësimore: 12
Laboratorë: 4
Numri i ambienteve të shërbimit: 11
1. Sekretaria
2. Psikologu
3. Personeli
4. Ambient sanitar
5. Depo
6. Ambient teknik
7. Garderobë (F)
8. Garderobë (M)
9. Sallë polivalente
10. Salla e mësuesve
11. Drejtoria
Ambiente të përbashkëta: 16
Sallë studimore (Biblioteka): 1





