Shijak, 9 qershor 2014 – 3 ditë më parë, në komisariatin e policisë së Shijakut është paraqitur një shtetas 46 vjeçar, nga Shijaku, i cili ka denoncuar para efektivëve të rendit faktin se përndiqej nga ish e dashura.

46 vjeçari ka rrëfyer se prej kohësh kishte krijuar një lidhje me një bashkëqytetaren e tij. Por duket se gjërat nuk kanë shkuar mirë mes çiftit dhe 46 vjeçari ka vendosur të ndahet nga e dashura.

Kjo e fundit, një 47 vjeçare me iniciale L.D., nuk e ka pranuar ndarjen dhe megjithëse i dashuri ia ka bërë të qartë disa herë se nuk donte ta vazhdonte lidhjen, këmbëngulte që të rikthehej edhe njëherë me të.

Sipas 46 vjeçarit, që nga momenti i ndarjes ai është “persekutuar” nga ish e dashura në të gjitha format e mundshme, aq sa ia ka bërë jetën të padurueshme. Për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj lidhjeje që duket se nuk ka qenë e destinuar të funksiononte, 46 vjeçari e ka kallëzuar në polici ish të dashurën dhe ka kërkuar ndihmën e uniformave blu për t’i shpëtuar përndjekjes që vijonte prej kohësh.

Efektivët e rendit, pasi kanë marrë denoncimin e shijakasit, kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 47 vjeçares L.D., e cila akuzohet për veprën penale të “Përndjekjes”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/