SHIJAK, 04 mars 2013 – Kërcënonte me jetë ish të fejuarën, pasi nuk pranonte ndarjen prej saj. Një 19 vjeçare nga fshatrat e Shijakut është bombarduar nga sms kërcënuese në telefon nga një 23 vjeçar, që deri pak kohë më parë ishte i fejuari i saj.
Çifti që ka qenë i lidhur zyrtarisht për rreth një vit me rradhë, duket se ka pasur probleme të shumta që lidheshin me xhelozinë e tepruar të 23 vjeçarit nga Shijaku, Xhino Cullhaj. Acarimi i marrëdhënieve mes të dyve ka çuar në ndarjen e çiftit, por Cullhaj duket se nuk e ka “gëlltitur” faktin se ish e fejuara tashmë do të vazhdonte jetën e saj.
Për këtë shkak ai e ka kërcënuar me jetë 19 vjeçaren O.S. që të vazhdonte të qëndronte e lidhur me të, në të kundërt do ta vriste. Duket se sms-të kërcënuese e kanë frikësuar të renë, që së bashku me prindërit i është drejtuar komisariatit të policisë së Shijakut ku ka bërë denoncimin për ish të fejuarin.
Në dëshminë e saj vajza e re është shprehur se ndihej e kërcënuar nga ish i fejuari, që e përndiqte atë kohët e fundit dhe e persekutonte në mënyrë sistematike me sms.
Pas marrjes së dëshmisë së vajzës dhe dokumentimit të sms-ve kërcënuese, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 23 vjeçarin Cullhaj. Ai akuzohet për veprën penale “Përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





