Kryeministri Edi Rama ishte sot në qytetin e Shijakut për të shpërndarë 1001 çertifikata legalizimi për banorët e zonës.

Në krye të fjalës së tij, Rama nënvizoi se pavarësisht problemit madhor në të cilin është fokusuar gjatë ditëve të fundit, Reformës në Drejtësi ai erdhi në qytetin e Shijakut sepse nuk doja të humbja rastin për ta parë këtë transformim të jashtëzakonshëm të qendrës së qytetit tuaj, në praninë tuaj dhe për t’ju siguruar që kjo punë do të vazhdojë”.

Lidhur me pranine e tij ne Shijak, ndërsa janë orë kyçe për Reformën në Drejtësi, Rama u falenderua edhe nga një zonje: “Falënderoj veçanërisht sot për pjesëmarrjen zotin Kryeministër. Me gjithë atë hall të madh që vërtetë i ka rënë kësaj qeverie, ai sot është pjesëmarrës”. 

E menjëhershme ishte përgjigja e Ramës.

“Jo, hallin e kanë të tjetër, ne jemi në rregull. Çfarë halli kemi ne? Hallin e kanë ata që kane frikë nga drejtësia,” – u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur tek çështja e legalizimeve, Rama tha: “Sot ndajmë 1001 leje legalizimi, që do të thotë se nga ky shesh dalin sot pronarë të shtëpisë së tyre, me dokumente në dorë, 1001 familje. Nga ana tjetër mbeten dhe rreth 250 objekte, që në bazë të legjislacionit aktual kanë një problematikë të caktuar, por që ne do të bëjmë çdo gjë për ta zgjidhur ketë problematike, duke ndërhyrë në legjislacion”.

E ndërsa mori falenderime nga banorët që u pajisën me çertifikatë pronësie, kryeministri Rama u ndal edhe në një tjetër problem shqetësues për banorët e Shijakut, lumi Erzen.

Rama premtoi se përmbytjet e shpeshta të viteve të fundit nuk do të përsëriten më, falë financimit që po sigurohet për shtratin e lumit.

“Ne tani jemi duke punuar për të siguruar financimin për shtratin e lumit, që është një pengesë shumë e madhe dhe krijon vazhdimisht pasoja kur lumi del nga shtrati. Do të vazhdojmë me punët publike, do të vazhdojmë ta mbështesim bashkinë e Shijakut dhe kryetarin e bashkisë, ta mbështesim këtë komunitet që vërtetë është një komunitet qytetar dhe i shkëlqyer dhe këtë e tregon edhe pamja që unë kam përpara syve”,tha Rama.