Pasi dështoi me dëbimin e PD-së nga SHQUP-i, ministrja e Mbrojtjes u nxjerr “dhëmbët” 15 familjeve në një objekt koti në Shijak, që nuk dihet pse u duhet Forcave të Armatosura
DURRËS, 2 dhjetor 2013 – Pasi dështoi me dëbimin e PD-së nga ish-shtëpia qendrore e ushtrisë popullore (SHQUP) sikurse ishte betuar, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u nxjerr “dhëmbët” 15 familjeve, të strehuara në një objekt “koti” në Shijak, që nuk dihet pse u duhet Forcave të Armatosura. Por bashkia socialiste hë për hë e bllokoi ushtrinë.
Planifikimi
“Sot, aksioni i parë për lirimin e godinave në repartin ushtarak të Shijakut” njofton në numrin e 2 dhjetorit 2013 e përditshmja “Shqip”, e afërt me të qeverinë aktuale. Sipas së përditshmes, që u referohej burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, më 2 dhjetor 2013, qysh në orët e para të mëngjesit do të niste një aksion, që ka si objektiv repartin ushtarak të Shijakut, në të cilin janë strehuar persona të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Më 2 dhjetor 2013 ushtria do të zbarkonte në Shijak, pasi i duhet të lirojë godinat e repartit ushtarak, i cili është përdorur deri tani si një vend për strehimin për të ardhurit nga zona të ndryshme të vendit. Për këtë aksion është kërkuar edhe asistenca me mjete dhe trupa ushtarake nga reparti i policisë ushtarake, i cili, përveç se do të vërë në dispozicion mjetet e veta të rënda, do të jenë të pranishëm edhe policë ushtarakë, të cilët do të bëjnë të mundur shmangien e ndonjë incidenti të mundshëm që mund të ndodhë nga reagimet e qytetarëve atje.
Buka: Si negociuam
Ndërkohë “Dyrrah”-u bëri një bisedë telefonike me kryetarin e bashkisë së Shijakut, Indrit Buka (PS), i cili konfirmoi se kishte arritur të sprapste aksionin e ushtrisë nëpërmjet një komunikimi me Ministrinë e Mbrojtjes. Buka thotë se bëhet fjalë për një ndërtesë në qytetin e Shijakut, ish-spitali i vjetër, në pronësi të ushtrisë, ndërsa objektet e tjera të ish-divizionit të Shijakut i kanë kaluar në pronësi bashkisë së këtij qyteti. Në këtë objekt, që nuk dihet pse i duhet dikasterit të Mimi Kodheli (PS), janë strehuar, me vendim të bashkisë dhe prefekturës, 15 familje, të cilave u janë përmbytur shtëpitë nga vërshimi i Erzenit para dy vjetësh. Buka thotë se para një muaji i kërkuam një shtyrje zonjës Kodheli për një muaj dhe nuk na e preu mendja se do të vinin brenda një muaji. Sërish kërkuam mirëkuptim, pasi kemi vështirësi për t’u siguruar strehim këtyre familjeve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





