Itali, 26 korrik 2014 – Një tjetër histori suksesi e shqiptarëve në Itali është edhe rasti i Fundim Gjepalit, 33 vjeçarit nga zona e Shijakut, ku prindërit e tij kanë një dyqan kasapi dhe një baxho.

Gjepali është shef kuzhine mjaft i suksesshëm në Itali. Fundimi ishte vetëm 14 vjeç kur mbërriti në vendin fqinjë.

Në fillim flinte në shtëpinë e kunatit në Romë. Më vonë i hyri karrierës së artit të kulinarisë.

Me shumë punë e lodhje është bërë një nga kuzhinierët më të mirë në Itali. Siç shpjegon edhe vetë, recetat e tij të gatimit janë një përzierje e eksperiencës kulinare mesdhetare si të Shqipërisë edhe të Italisë.

Fundimi shpjegon, që është rritur në fshat në mes të ushqimit të shëndetshëm d.m.th. bio. Pikërisht dashurinë për kuzhinën biologjike e ka trashëguar nga familja e vet shqiptare.

Ai vertet e ka emrin Fundim, por specialiteti i tij qingj i pjekur me lajthi fitoi çmimin e parë  ndërkombëtar “Gran Prix International” në konkursin e Kuzhinës Mesdhetare në Napoli në mars 2014.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/