26 maj 2015 – I dënuar me burg të përjetshëm, Hysen Shera, 58 vjeç, nga Shijaku, i cili 5 vite më parë vrau babë e bir, akuzohet se kërcënon me jetë fqinjët e dikurshëm. Policia e Durrësit tha se ndaj Sherës, i cili ndodhet në burgun e Fushë-Krujës, është denoncuar nga dy fqinjët e tij për kërcënim me letra. “Sh.S. 66 vjeç, banues në Shijak dhe Xh.B.30 vjeç, banues në Shijak kallëzuan në polici se, Hysen Shera, me anë të një personi të panjohur ju ka dërguar një letër kërcënuese në shtëpi, nëpërmjet së cilës ju kërkon:
shtetasit Sh.S. ta shesë ose t’i marrë vetë shtëpinë e tij, e t’i japë 30 milionë lekë. Ndërsa shtetasit Xh.B. i kërkon brenda 7 ditësh 10 milionë lekë për shpifje ndaj tij për vrasje”. Policia tha se po punon për identifikimin e personit që dërgoi letrën në banesat e dy shijakasve, ndërsa do të merret në pyetje me detaje Hysen Shera në burg.
Vrasja e dyfishtë te 4 Rrugët
Emri i Hysen Sherës u bë i njohur në nëntorin e vitit 2010, kur te “4 Rrugët e Shijakut” ekzekutoi babë e bir: Fatmir e Izmir Sula, 50 dhe 18 vjeç. Në atë kohë, policia tha se mes Sherës dhe familjes Sula kishte lindur një konflikt për motive të dobëta. Hysen Shera ishte person i dyshuar dhe për një vrasje në Krujë në vitin 1996 dhe prej asaj kohe ai ishte shpërngulur në Shijak, duke i marrë jetën babë e bir.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”