Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, bën të ditur projektin më të ri që ka nisur për promovimin e zhvillimit rural dhe fshatrave që janë vërtet një atraksion turistik sa i takon natyrës.
“Është e rëndësishme që të promovojmë punën e përditshme e të palodhur të fermerëve dhe familjeve që jetojnë në fshat. Aty ku jeta është e qetë, ku dashuria për natyrën është më e madhe, ku ushqimi është bio, ku kemi plot shembuj suksesi për ata që prodhojnë produkte “Made in Albania””– tha kryebashkiaku Arbana.
Ai theksoi se në këtë fazë rindërtimi që është qyteti i Shijakut do të jetë në vëmendjen kryesore të bashkisë nxitja e agroturizmit si një sektor i ekonomisë që mund të ndihmojë zhvillimin e zonave rurale.
“Potenciali i turizmit në fshatrat tona ku secili ka nga një liqen, është i madh, por i pashfrytëzuar. Për këtë është e rëndësishme të ketë investime në agroturizëm”- tha kryebashkiaku i Shijakut.





