Analizë e “Dyrrah”-ut
DURRËS, 24 qershor 2013 – E majta paska pasur “rrënjë” të forta në qytetin e buzë lumit Erzen, teksa një nga figurat më emblematike të Shijakut, Agron Duka, nuk mundi të nënshtrojë dot PS-në, duke kandiduar për të djathtën, qoftë duke i mbledhur së toku votat e PR-së dhe PD-së.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të KQZ-së (shihni faksimilet e 6 tabelave), bashkia e Shijakut kishte 17 qendra votimi me 10 105 zgjedhës, teksa të dielën morën pjesë në votime 5 287 shtetas, ose me pjeëmarrje në nivelin 52,3 për qind, shifër jo e keqe.
Nuk ka pasur njoftime për incidente, teksa këtu ka ardhur për vizitëë edhe ambasadori i SHBA-së z. Aleksandër Arvizu.
Me daljen si kandidat i PR-së të z. Agron Duka, mendohej se PS-ja do të merrte goditje spektakolare, por nuk ndodhi kështu.
PS-ja, vet si subjekt, mori 2 318 vota, ose 44.3 për qind të totalit të votave të vlefshme, kundrejt 1 011 votave të PD-së (19.3 për qind), edhe “strehës” së re të z. Duka, PR-së me 1 213 vota (23.2 për qind).
Po të mblidhen bashkë votat e djathta kryesore, PD+PR, kemi një total prej 2 224 vota, ose 42.5 për qind.
Është kureshtar fakti që në “hak” zotit Duka i ka hyrë dhe kunati, z. Lefter Koka për LSI-në me 265 vota (5 për qind).
Nga ana tjetër, për shkak të popullaritetit të madh si sportist, biznesmen, sponsor, z. Duka ka “rrëmbyer” vota dhe nga PS-ja dhe PD-ja, gjë, që në të kundërt, pot të mos garonte, sigurisht raportet midis partive të mëdha do të ishin të tjera.
Duhet shënuar se FRD-ja nuk ka pasur ndonjë ndikim në “goditjen” e PD-së, pasi partia e Topi-Oketës mori 62 vota, kurse Aleanca Kuqe Zi mori vetëm 34 vota.
Ndërkaq, përfaqësuesi i komunitetit të vogël çam të Shijakut, piktori i njohur Abaz Hado, zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka siguruar 120 vota (2,3 për qind të totalit).
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





