Shirli Valentina është kthyer në Durrës, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, aty ku mori jetë dy vjet më parë.

“Është e mrekullueshme. Kthimi i Shirlit dhe sidomos kthimi i saj në Durrës është gjithnjë festë”, shprehet Olta Daku, aktorja që mban rolin kryesor të shfaqjes.

Plot batuta dhe humor ku nuk mungon ironia therëse, komedia me regji të Driada Dervishit po reziston gjatë në skenat shqiptare, që nga qershori i vitit 2017, kur u shfaq premierë në Durrës.

Suksesi i saj përtej humorit qëndron te tema që trajton dhe mesazhi se nuk është vonë kurrë për të jetuar jetën në të gjitha ngjyrat e saj, larg të qenit një grua që i nënshtrohesh ritmeve të zakonshme të një shtëpiakeje.

“Ka një arsye shumë të fortë që Shirli qëndron në repertor prej 30 vitesh, duke nisur nga vendi i autorit, Londra. Tek ne Shirli ka 3 vjet që thërret shumë publik, jo vetëm për humorin, finesën e konkretësinë, po dhe për mesazhet e shumta. Kryesor është ai i një ftese për të rigjetur vetveten dhe për të sjellë një ekuilibër në marrëdhëniet në çift, si dhe për të dhënë një mesazh të fortë që femra, gruaja nuk duhet parë më si objekt, si një person që vetëm shërben, në shoqërinë tone”, thotë regjisorja Driada Dervishi.

Komedia do të shfaqet këtë të shtunë dhe të dielën në mbrëmje, në orën 19.00 në skenën e teatrit të Durrësit, duke dhuruar humor e reflektimin mbi realitetin e grave dhe nevojën për ta ndryshuar atë.

K.H.