Pin nga një shishe, e blerë në një supermarket, por gjen vdekjen. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qytetin e Riminit, në Itali.

Viktimë ka mbetur një hidraulik 54-vjeçar, i cili mëngjesin e së martës ka pirë nga një shishe lëngjesh, që e kishte blerë në një market të zonës.

Menjëherë më pas është ndjerë keq, është shtruar në spital dhe mëngjesin e ditës së djeshme ka humbur jetën. Sipas hetuesve italianë, burri ka pirë sodë kaustike, që i ka shkatërruar ezofagun dhe aparatin tretës.

Për të zbuluar shkakun e vdekjes, hetuesit kanë sekuestruar shishen, e cila pretendohet se ka shkaktuar vdekjen e 54-vjeçarit.

Gjithsesi hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që burri të ketë humbur jetën për shkak të ndonjë helmimi, pasi mund të ketë pirë helm për minjtë.

Të gjitha hipotezat ngelin të hapura, përsa kohë hetimet vijojnë.