Paragjykimi i punëve shpesh bën që njerëzit të jenë të palumtur  me profesionin e tyre. Kjo temë u diskutua këtë të enjte në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ku gazetari Milaim Zeka ka dhënë shembullin më të mirë se puna nuk duhet paragjykuar.

Ai ka treguar se si vetë, nga nevoja për para në të njëjtën kohë që punonte në Radiotelevizionin Suedez ka bërë edhe punën e shpërndarësit të gazetave. Gjithashtu ai ka treguar se për të puna ka qenë edhe një kriter për të gjetur partnere.  

Gazetarja: Ka një lloj ndasie që ne e bëjmë, njerëzit i ndajmë në punë si, këta janë shumë mirë këta janë shtresa e mirë e shoqërisë ka nga ana tjetër profesione që ne i trajtojmë në mënyrë më të ulët, siç përmendët shoferin.

Milaim Zeka: Të them diçka, kur kam qenë i pamartuar, se tani nuk guxoj të flas. Po në fillim një femër e pyesja a punon,  kur më thoshte nuk punoj, as dashnore nuk e kam zënë. Unë kam punuar kamarier, kam punuar pastrues, kam punuar në azil të pleqëve, e madje edhe kur punoja në Radio Televizionin e Suedisë, kur kam blerë shtëpi në qendër të Stokholmit, kam bërë tre punë. Nga televizioni kam shkuar në një restorant barman, pastaj kam shpërndarë gazeta nga ora 1 e natës, deri në 5.  Kur ti ke punë dhe ulesh me një mashkull dhe e paguan vetë kafen ke dinjitet, ke fytyrë dhe ke moral.