Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.

Në emailin e Aku-së rreth orës 20:00 ka mbërritur një denoncim nga një qytetar për therjen e tregtimin e mishit në qytetin e Prrenjasit në shkelje flagrante të stadardeve të sigurisë ushqimore.

Gjatë inspektimit të papritur, subjekti “Bani Zhobro” u kap në flagrancë duke ushtruar barbarisht aktivitetin e therjes së kafshëve në një ambient të pa miratuar dhe në kundërshtim të plotë me kërkesat ligjore dhe kafsha natyrshëm e pa kontrolluar nga veterineri – i cili sipas protokolleve veterinare kryen edhe certifikimin ose jo të mishit pas kontrollit të detyrueshëm para dhe pas therjes.

Ky subjekt “Bani Zhobro” është i regjistruar në QKB me aktivitet ‘Tregtim mishi” por në momentin e inspektimit subjekti ushtronte aktivitetin e therjes së kafshëve në ambientin ngjitur me atë të tregtimit të mishit ,në katin e parë të një pallati. Në ambientet e therjes u gjendën dhe më pas u konfiskuan 45 kg mish vici dhe një set me vegla pune (2 cengela,1 thikë,1 hanxhar).

Për shkeljet e mësipërme u morën masat : ndalim i aktivitetit për therjen e kafshëve, konfiskim i mishit, mjeteve të punës (2 cengela,1 thikë,1 hanxhar) si dhe masë administrative, gjobë në vlerën 250 000 lekë. Inspektimi zgjati deri në orët e vona të datës 3.8.2018, ku u konfiskua produkti me destinacion asgjësimin e tij.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje sërish konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.