Shitja e 110 apartamenteve të para të projektit Durrës Yacht Marina përfundoi brenda pak orëve. Megjithëse kompleksi rezidencial pret akoma dhënien e lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në zyrën e shitjeve pranë Portit të Durrësit kishte paraditen e sotme shumë të interesuar.

Çmimet varionin nga 110 mijë euro një apartament 60 m2, deri në rreth 1.2 milion euro apartamentet 3+2 me një sipërfaqe 400 metra katrorë.

Ndërsa pjesa më e madhe e blerësve ishin të huaj, nuk mungonin dhe shqiptarët e interesuar, që duket se nuk i tremb fakti që kompleksi është vetëm maket aktualisht.

Për kreun e agjencisë imobiliare Mei Smart, Florian Tahiri të huajt e interesuar, i shohin blerjet e apartamenteve si investim në pasuri të paluajtshme.

E ndërsa zyra e shitjeve në port priste klientët e parë, qytetarët e thjeshtë nuk ishin të interesuar për t’u njohur me çmimet, sepse u duken të papërballueshme.

110 apartamentet e para u shitën me rreth 1700-1800 euro metri katror, ndërkohë të tjera rezidenca që do të ngrihen më në brendësi të komplekseve të banimit do të ofrojnë çmime më të ulta thonë burime pranë zyrës së shitjeve për “DurrësLajm”.

Pagesa me 7 këste për blerjen e një apartamenti, duket e leverdishme për agjencitë imobiliare.

Në projektin Durrës Yacht Marina parashikohet të ndërtohen fillimisht dy rezidenca banimi 7 dhe 10 kate, si dhe një hotel që pritet të përfundojë brenda 2 viteve.  

Në total, në përfundim të projektit, në territorin e portit do të ndërtohen 13 mijë apartamente, si dhe disa hotele me 5 yje.

Projekti ka ngjallur reagime të shumta në radhët e politikës shqiptare, sepse për realizimin e tij do të spostohet porti i Durrësit në Porto Romano. Pritet që puna për ndërtimin e rezidencave të para të nisë vitin e ardhshëm, ndërkohë që paralelisht do të nisë edhe zhvendosja e portit në destinacionin e tij të ri.

M.B.