Londër, 25 mars 2013 – Fotografi të koncertit të “The Beatles” në “Shea Stadium” më 1965, të cilat janë realizuar nga një fotograf amator, që po qëndronte në prapaskenë, janë shitur për 30 mijë funte. Marc Weinsten kishte përdorur kartë identifikimi të rreme për t’iu afruar skenës në spektaklin historik që u mbajt në New York. Për gjashtëdhjetë e një fotografi bardhezi të realizuara nga Weinstein, shtëpia e ankandeve “Omega Auctions” kishte parashikuar se do të grumbullonte 15 deri 20 mijë funte. 

Koncerti në “Shea Stadium” ka qenë njëri nga evenimentet më të mëdha që ka realizuar grupi legjendar “The Beatles”. Në atë koncert, grupi u duartrokit nga audienca prej më shumë se 55 mijë vetash. Më vonë Weinsten kishte rrëfyer se si e kishte përdorur një kartë identifikuese të cilën e kishte bërë vetë në shtëpi, për të bindur policinë ta lejonin të hynte në zonën ku ndodhej skena.

Personi që i bleu fotot është një zotëri nga Amerika Jugore, i cili aktualisht jeton në Washington dhe njihet si një nga koleksionuesit më të mëdhenj të relikteve të “The Beatles”.