Njëmbëdhjetë vepra të Pablo Picasso-s që zbukuronin hotelin Bellagio në Las Vegas, u shitën në ankand në Sotheby’s për një çmim total përfundimtar prej 110 milionë dollarësh, të barabartë me mbi 94.4 milionë euro.

Është fjala për nëntë piktura dhe dy skulptura qeramike, të cilat përfshijnë pesëdhjetë vjet veprimtari të artistit të madh spanjoll.

Ndër pikturat, e famshmja “Gruaja me kapele të kuqe-portokalli” të vitit 1938, e cila portretizon muzën dhe të dashurën e Pikasos në atë kohë, Marie-Thérèse Walter, kapi çmimin më të lartë, 40.5 milion dollarë (34.7 milion euro). Një pikturë tjetër, “Njeriu dhe fëmija”  e vitit 1959, u shit për 24.4 milionë dollarë.

Ndër kryeveprat e tjera që zbukuronin restorantin Picasso të Bellagio-s, tani në pronësi të MGM Resorts, ishte edhe “Natyrë e vdekur me një shportë frutash dhe lulesh” e pikturuar në vitin 1942 në Parisin e pushtuar nga nazistët, e shitur për 16.6 milionë dollarë.

Koleksioni i veprave të Picasso, u ble nga pronari i mëparshëm i hotelit-kazino, Steve Wynn.